E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rilindin” edhe hekurudhat, Verdho zbulon detajet: Ja ku do të jetë stacioni i parë i trenit

Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, zbuloi më shumë detaje në lidhje me projektet e hekurudhave.

Në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të orës 19:00 në Televizionin Kombëtar Vizion Plus, të moderuar nga Aleksandër Furxhi, ai tha se stacioni i parë i trenit në segmentin Durrës-Tiranë-Rinas do të jetë në kthezën e Kamzës.

Ndërkohë, ai theksoi se sot u firmos marrëveshja për linjën Durrës-Rrogozhinë.

Intervista e plotë:

Një tjetër projekt hekurudhor po konkretizohet, linja Durrës-Rrogozhinë. Mund të na jepni disa detaje mbi këtë projekt, kur pritet të nisin punimet dhe kur parashikohet të përfundojë?

Verdho: Sot u firmos më në fund marrëveshja për linjën Durrës-Rrogozhinë, që hap siparin e ri të kësaj rruge, ajo që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ky projekt strategjik është pjesë e gjithë projekteve të tjera që nga viti 2015, kur Europa ka shprehur mbështetje si paketë unike, ku u vlerësua nga donatorët strategjik me pikët maksimale, me peshën 98 nga 100 total. Ne jemi shumë të lumtur, gjithë ëndrrat tona po bëhen realitet. Këtë javë firmosim edhe projektin e detajuar të linjës Rrogozhinë-Pogradec dhe lidhjen kufitare me Maqedoninë e Veriut. Po këtë javë lidhim edhe kontratën me firmën fituese nga Bashkimi Europian, me BEI, Bankën Europiane të Investimeve. Kemi shumë për të realizuar.

Pra, Durrës-Rrogozhinë do të fillojë ndërtimin nga viti i ardhshëm?

Verdho: Po, në vitin 2026.

Segmenti Durrës-Tiranë-Rinas, qytetarët e shohin se ka një kantier që është duke u ndërtuar. Në çfarë faze është ky projekt?

Verdho: Ne jemi në fazën 90% të këtij projekti. Tashmë ka arritur në Kashar. Pra, shumë shpejt do të përfundojmë pjesën teknike të trupit hekurudhor. Sapo kemi firmosur edhe kontratën me firmën fituese për zhvillimin e stacioneve hekurudhore, që janë në Kthezën e Kamzës, Kashar, Rinas, Vorë, Sukth, Durrës.

Pra, stacioni i parë i trenit do të jetë në kthezën e Kamzës?

Verdho: Po, pastaj do të zhvillojmë 4 km e fundit, nga Ktheza e Kamzës në fillim të Bulevardit të Ri.

Projekti i fundit në radhë është ai i hekurudhës së Kombit, pra Shkodër-Gjakovë. Në çfarë faze është?

Verdho: Ajo quhet hekurudha “Kuq e Zi”. Është një iniciativë që qeveritë e kanë pasur më parë. Do të nisë nga Shkodra në drejtim të Gjakovës. Çdo gjë tjetër mbetet për t’u parë. Do të shqyrtohen mundësitë për zgjidhjen e financimit. Ky është një projekt mjaft i rëndësishëm.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›