“Rilindja Urbane 2.0”- Zhbllokohen rrugët në Shkodër, Rama: S’ka pushim

Në të gjithë territorin e vendit, po vijon me intensitet puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme. Ky aksion i madh shënon fazën përgatitore për zbatimin e programit të ri qeveritar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili ka si synim kthimin e ligjshmërisë në territor dhe sjelljen e zhvillimit për komunitetet.
Kryeministri Edi Rama theksoi vendosmërinë për të mos ndalur, duke shkruar në rrjetet sociale: “S’ka pushim”. Rama ndau pamje nga shembja e disa ndërtimeve pa leje në Shkodër, një prej pikave më të nxehta të këtij aksioni ditën e sotme, shoqëruar edhe me komente të qytetarëve të këtij qyteti.
Reagimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve shkodranë ishte pozitiv. Disa prej tyre, të cituar nga vetë Kryeministri, vlerësuan ndërhyrjen, duke theksuar se shembja e objekteve ishte e drejtë dhe se ia kishte vlejtur, pasi këto ndërtime kishin bllokuar rrugët dhe hapësirat e qytetit.
Ligjshmëria dhe mbështetja digjitale
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike dhe zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit, duke ndëshkuar ashpër ata që shkelin ligjin.
Një pjesë e madhe e sukseseve të këtij aksioni vjen falë denoncimeve të qytetarëve. Ata raportojnë shkeljet në portalin e dedikuar “Hapësira ime publike”.
Aksioni, i cili nisi zbatimin në muajin Korrik, është konceptuar si një ndërhyrje sistematike dhe jo si një fushatë e përkohshme, duke vazhduar me prioritet në gjithë territorin e vendit.
/rtsh.al/