Rilindja e stadiumit “Niko Dovana”, Korporata e Investimeve Shqiptare merr dritën jeshile për projektin madhor

Qeveria miratoi të enjten transferimin e pronave shtetërore në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) për të realizuar projektin e madh të investimit “Rijetëzimi i stadiumit “Niko Dovana”, Durrës”. Ky vendim, i propozuar nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të një prej objekteve më të rëndësishme sportive në Shqipëri.
Vendimi mbështetet në Kushtetutë dhe legjislacionin specifik për Korporatën e Investimeve Shqiptare, si dhe në vendimet e mëparshme të Këshillit të Ministrave për dhënien e pronave shtetërore.
KISH merr rolin e zhvilluesit dhe autorizimet e nevojshme
Sipas vendimit, KISH, vetë ose nëpërmjet një entiteti të krijuar prej saj, është autorizuar të veprojë si zhvillues i pronave të përcaktuara në shtojcat e vendimit. Ky autorizim përfshin edhe atë të dhënë nga Këshilli Bashkiak Durrës nëpërmjet vendimit nr.125, datë 27.7.2023, duke synuar përmbushjen e interesit publik.
Brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, KISH dhe institucioni i përcaktuar në shtojcën nr.3 do të lidhin marrëveshje bashkëpunimi. Kjo marrëveshje do të përcaktojë standardet, metodologjinë, termat dhe kushtet e bashkëpunimit, duke balancuar interesin publik me interesat e Korporatës dhe entiteteve ku do të regjistrohet prona e re shtetërore.
Partneriteti privat dhe zhvillimi i pronës
Korporata e Investimeve Shqiptare autorizohet të hapë procedurën konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat për zhvillimin e pronës, sipas rregullave të vendosura nga Këshilli i Ministrave. Gjithashtu, KISH ka autorizimin për të negociuar me subjekte private me qëllim lidhjen e kontratave përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi ose për të cilat ka autorizim zhvillimi.
Në kuadër të realizimit të projektit, KISH, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, do të kryejë veprime me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe me institucione të tjera. Qëllimi është regjistrimi i pronës së re shtetërore në emër të Republikës së Shqipërisë, Bashkisë Durrës ose Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit.
Vendimi gjithashtu autorizon KISH-in të procedojë me prishjen e objekteve që janë pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, në funksion të zhvillimit të projektit.
Shfuqizimi i vendimit të mëparshëm dhe përgjegjësitë
Me këtë vendim, shfuqizohet vendimi nr.485, datë 1.8.2023, i Këshillit të Ministrave, i cili ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për realizimin e projektit të zonës multifunksionale rreth stadiumit “Niko Dovana”.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare. Ky hap tregon angazhimin e qeverisë për të ndjekur një model zhvillimi të stadiumeve që përfshin Korporatën e Investimeve Shqiptare si një aktore kryesore.
/rtsh.al/