Rilindja ekonomike, Rama:Transparencë mbi gropën e buxhetit të shqiptarëve
Kreu i PS-së dhe njëkohësisht edhe kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka theksuar sot se rruga e rilindjes ekonomike të Shqipërisë nis nga nxjerrja në dritën e të vërtetës së gjendjes aktuale të financave shqiptare.
Përmes një masazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se për realizimin e një objektivi të tillë duhet një ekspertize ndërkombëtare.
Rruga e rilindjes ekonomike të Shqipërisë nis nga nxjerrja në dritën e të vërtetës së gjendjes aktuale të financave shqiptare. Na duhet të dimë me saktësi një orë e më parë, sa e madhe është gropa e krijuar në buxhetin e shqiptarëve në këto vite politikash rrënuese, ekonomike e fiskale. E për këtë na duhet një analizë e thellë, objektive dhe e pavarur. Angazhimi ynë është ti drejtohemi një pale të tretë, me ekspertizë të padiskutueshme në rang ndërkombëtar. Ne po përgatitemi për ta bërë këtë me të nisur nga puna. Sot dua të ndaj me ju në mënyrë të përmbledhur, piketat e projektit që do të transformojë rrënjësisht sistemin e Raportimit Financiar të Sektorit Publik në Shqipëri. Dhe do ta përgatisë Shqipërinë për të jetësuar standartet europiane të kontabilitetit të sektorit publik shkruan Rama.