E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rilindja në Durrës, Rama: Depozitat e shqiptarëve në rrezik, do bashkëpunojmë për mbrojtjen e tyre

Ndërsa ka prezantuar programin e PS për një Rilindje shqiptare në Durrës, kreu i selisë rozë Edi Rama ka lëshuar alarmin për një kërcënim serioz të ekonomisë së vendit nga kriza e Eurozonës. Duke iu referuar të  raportit të të dhënave të Bankës së Shqipërisë, tha se nëse nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë dhe për mbrojtjen e tyre ai shprehu vullnetin për të gjetur rrugën e bashkëpunimit edhe me palën tjetër. Kryesocialisti Rama renditi edhe arsyet sipas tij, të rënies ekonomike, ndërsa akuzoi qeverinë për moskompensimin e të ardhurave të munguara me të ardhura të tjera.

“Sot pranohet zyrtarisht se 2012 ka pasur rritjen më të vogël ekonomike që prej 2007. BSH pohon se fuqia blerëse ka rënë 10%, për shkak se pagat kanë rënë me 10%. Tendenca rënëse vazhdon edhe në dy muajt e parë të 2013, jemi në kushtet e fundosjes se të ardhurat nga emigrantët, burimi kryesor në vend, vazhdojnë të tkurren. Janë 430 mln dollarë më pak se në 2007, që i mungojnë ekonomisë dhe sjanë kompensuar me të ardhura të tjera. Është përgjegjësi e qeverisë që ta kompensojë me të ardhura të tjera.  Rënia e remitancave, evazioni fiskal, korrupsioni, ku mund të shkojë Shqipëria me këtë pushtet edhe katër vite të tjera vetëm në rrugën e rrënimit dhe dështimit. Nëse sot nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitata e qytetarëve shqiptarë, jemi të vendosur të gjejmë rrugët e bashkëpunimit edhe me palën tjetër për të garantuar financat e vendit. Ja ku erdhëm pra, i kemi paralajmëruar që të gjitha këto, kemi bërë parashikimet e përshkallëzimit të krizës, aq sa edhe institucionet ndërkombëtare kanë ardhur afër parashikimeve tona.Ne na duhet një politikë punësimi real, e bazuar në një plan punësimi të detajuar për të krijuar mundësitë për 300 000 vende pune në katër vitet e ardhshme” tha Rama.

Duke iu referuar takimeve të Berishës në kuadër të hartimit të programit të PD-së, Rama ironizoi Kryeministrin duke e cilësuar si një turist të sapozbritur në Shqipëri që po zbulon vendin. Por sipas Ramës, rezultati i këtyre takimeve është një konfuzion dhe një propagandë që nuk rri dot më në këmbë, sepse shifrat kundërshtojnë njëra- tjetrën.

“Dje në konventën e tyre u thanë disa gjëra shumë interesante se në fakt me partinë familjare me në krye Saliun fshati s`ka asnjë shans të dalë nga rrënimi.  U tha se janë shpenzuar 5 milionë dollarë, që i bie 22 dollarë për familje dhe 1 litër naftë në muaj. U tha një gjë tjetër se tashmë partia e  Kryeministrit të vetmuar nuk ka një program edhe pas kopjimit të programit tonë. Dhamë projektin për heqjen eTVSH, u rrëzua në parlament, doli në treg si ide pasi u mor nga program ynë dhe vetëm dje u tha se biznesi ka problem me heqjen eTVSH për makineritë. Në shtator 2009, Saliu tha se në 2013 fshatrat e vendit do të llamburisin njëlloj si në lagjet e cdo qyteti, kanë kaluar katër vjet  nga premtimi dhe bëhet sërish i njëjti premtim.  Berisha po shfaqet si një turist nëpër Shqipëri që po njeh më në fund vendin që kaqeverisur për 8 vjet me radhë. Le ti lëmë në rrugën e tyre të vetmisë së madhe” shtoi Rama.

Ndërkaq duke u fokusuar në zhvillimin e Durrësit, ai vlerësoi se Bashkia e këtij qyteti është një laborator projektesh për tu laboruar dhe studiuar menjëherë pas 23 qershorit, për ti dhënë fund sipas tij bllokimit verbal të projekteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›