E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rimbursimi i ilaçeve antiCOVID/ PD: Mashtrim dhe skemë korruptive

Partia Demokratike akuzon se rimbursimi i kurës COVID-19 është një mashtrim dhe skemë korruptive. Sipas Sekretarit i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi nuk rimbursohen recetat para konfirmimit pozitiv. Udhëzimi detyron pacientin të blejë vetëm tek 5 kompani ilaçet e rimbursueshme. Në reagimin e tij Bradhi shprehet se qeveria i braktisi shqiptarët për 9 muaj, duke mos rimbursuar asnjë qindarkë për kurimin e shtrenjtë të COVID-it, por tani po bën akoma më keq, po i tall dhe po i vjedh njëkohësisht.

“Vendimi për rimbursimin e ilaçeve antiCOVID nuk i shërben qytetarëve, por propagandës së Qeverisë dhe klientëve të saj. Faktet provojnë se vendimi është bërë për një grusht kompanish farmaceutike, jo për qytetarët. Kushti që ilaçet rimbursohen vetëm kur (pasi) pacienti konfirmohet pozitiv nga ISHP, e bën praktikisht të pazbatueshëm vendimin për rimbursimin. Është fakt që mjekët e familjes, bazuar në simptomat e pacientit apo rezultatet e testit të kryera në privat, e fillojnë mjekimin e pacientëve pa pritur konfirmimin e testit nga ISHP. Kjo ndodh, sepse të gjithë e dinë, se po pritët ISHP-në, je në rrezik për jetën, pasi ISHP-së i duhen 5-10 ditë për testin dhe përgjigjen. Vendimi i qeverisë nuk njeh si të rimbursueshme ilaçet e recetave përpara konfirmimit pozitiv nga ISHP-ja. Është rasti për t’u dhënë zë qindra qytetarëve që ankohen se testet e ISHP-së dalin negative, ndërkohë që testet në privat apo skaneri konfirmon praninë e COVID-19”, shprehet ai.

Po ashtu Bradhi shton se skema e rimbursimit është e paprecedentë.

“Udhëzimi detyron pacientin të blejë vetëm tek 5 kompani ilaçet e rimbursueshme, duke shkelur rëndë ligjin dhe duke provuar se halli i vetëm i kësaj qeverie është vjedhja edhe në kohë pandemie, janë klientët e saj, jo shëndeti i njerëzve. Nëse një i sëmurë me COVID-19 merr, psh. një vitaminë C apo D që nuk është prodhuar nga këto 5 kompani, qeveria nuk u rimburson asnjë ilaç, asnjë qindarkë. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Qytetarët shqiptarë meritojnë rimbursimin e plotë të ilaçeve antiCOVID. Për këtë nevojitet një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten dhe klientët e saj”, tha Bardhi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›