E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rimëkëmbja ekonomike, Denaj: 197 biznese përfitojnë grante nga programi CoSolve19

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me GIZ po ndihmon bizneset mikro dhe fermerët, përmes programit CoSolve-19, që ofron këshillim të kombinuar me grante, për të zbutur pasojat e krizës së COVID-19.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj, tha sot se “falë bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani programi  CoSolve-19 vjen në mbështetje të fermerëve dhe të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Programi do të ofrojë së pari mbështetje për 197 biznese të përzgjedhura me trajnime, këshillime, potencial për përfitim të granteve, duke qenë pranë bizneseve në procesin e rimëkëmbjes”.

Sipas Denaj, nga ky program përfitojnë fermerë dhe ndërmarrje të vogla e të mesme nga e gjithë Shqipëria ku 23% janë fermerë, 38% në turizëm, 40% të tjera, ndërsa 38% janë gra dhe 62% burra.

Përmes këshillimeve dhe trajnimeve me ekspertët si dhe mundësisë për të përfituar grante, synohet lehtësimi i pasojave të pandemisë së Covid-19.  Ky instrument i ri mbështetje parashikon në raundin e parë, 210 aplikues të përzgjedhur për përkrahje të menjëhershme, ndërsa CoSolve-19 do të mbështesë 900 NVMV të prekura nga pandemia COVID-19 deri në fund të vitit 2022.

Kjo iniciativë, fokusohet në zbutjen e efekteve të shkaktuara nga kriza e COVID-19 dhe rimëkëmbjes së bizneseve, e po ashtu në përshtatjen e tyre me “normalitetin e ri”/ATSH

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›