E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rinis ofensiva ruse në Zaporizhzhia, zyrtari ukrainas: 17 sulme në vetëm 1 orë

Një ditë pas fjalimit të mbajtur nga Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Parlamentin Europian në Bruksel, Rusia ka rinisur ofensivën e re. Sekretari për Këshillin Bashkiak të Zaporizhzhias, Anatoliy Kurtiev ka deklaruar se Rusia ka kryer 17 sulme në vetëm një orë mëngjesin e sotëm. Anatoliy Kurtiev, tha se sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike ndërsa janë shënuar dëme të mëdha dhe dyshohet edhe për viktima.

“Në vetëm një orë, 17 sulme të armikut u dokumentuan në qytet, numri më i madh që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë. Informacionet për shkallën e dëmeve dhe viktimave janë duke u përditësuar” tha ai.

Presidenti Zelensky në fjalimin e mbajtur në PE, teksa falenderoi BE-në për ndihmën dhënë ndaj Ukrainës, deklaroi se Presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të asgjësojë vlerat evropiane përmes luftës totale.

Para mbëritjes në Bruksel, Zelensky  u takua me presidentin francez Emmanuel Macron si pjesë e një turneu diplomatik të paparalajmëruar nëpër kryeqytetet evropiane që synonte të bindte Perëndimin për dërgimin e më shumë armëve dhe mbështetje ushtarake.

Zelensky bëri një vizitë të papritur në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën në udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus i Ukrainës gati një vit më parë.

Në një fjalim para ligjvënësve britanikë, Zelensky përsëriti thirrjen e tij të vazhdueshme për më shumë armatime të rënda, duke përfshirë avionë luftarakë. Zelensky i dorëzoi Kryetares së Dhomës së Komunave, Lindsay Hoyle, helmetën e një piloti luftarak ukrainas, të nënshkruar me mesazhin: “Ne kemi liri. Na jep krahë për ta mbrojtur atë.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›