E Diel, 1 Nëntor 2026

Rinisin operacionet për shuarjen e zjarrit në Fier, flakët përfshijnë edhe Frakullën

Operacioni për shuarjen e zjarrit në Fier ka rinisur mëngjesin e sotëm, ndërsa flakët që kanë përshkuar katër fshatra kanë prekur edhe zonën e Frakullës.

Në terren janë angazhuar rreth 90 trupa të Forcave të Armatosura dhe të Repartit të Poshnjës, të cilët po vijojnë ndërhyrjen në vatrën e zjarrit në fshatin Frakull.

Zjarri po përhapet në një masiv me pisha, ku prania e tymit është e lartë. Në perimetrin e vatrës ndodhen edhe 7 mjete zjarrfikëse, së bashku me efektivët përkatës.

Ndërkohë, vatra vijon edhe në drejtim të fshatit Peshtan. Kjo pjesë e zonës aktualisht është e paaksesueshme për mjetet zjarrfikëse, ndërsa flakët ndodhen larg zonave të banuara.

Forcat në terren po vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, ndërsa situata po monitorohet në vijimësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›