Rinovimi i protokollit me Italinë, Hoxha sqaron deklaratën

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha sqaroi sot deklaratën e tij për “Euractiv”, lidhur me mundësinë e rinovimit të protokollit me Italinë pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Hoxha theksoi se gazetari në Bruksel e pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
“Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt’, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe. Ka qenë kaq e thjeshtë”, sqaroi Ministri.
Sipas Hoxhës, nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet.
Ndaj, kjo deklaratë, sipas tij, “nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin”.
“Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”, shtoi ministri Hoxha.
/a.f/r.e/