Rinumërimi i 1 në 3 votave, Alimehmeti: Ato fletë kanë dalë dhe janë futur prapë. S’ka shpjegim tjetër!

Ilir Alimehmeti, kandidati për deputet në listën e hapur të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare, i ftuar në emisionin “Ngjarja Kryesore” në RTSH 1, deklaroi se organet kompetente duhet të ndjekin seriozisht procesin e rinumërimit, sepse me precedentin e krijuar tashmë me hapjen e 42 kutive të qarkut Dibër, është tjetërsuar vota preferenciale.
I pyetur nga gazetari Ervin Koçi se përse kandidati Alimehmeti ka iniciuar një kërkesë në KAS për rinumërim votash, kur ndërkohë kërkesën e tillë e kishte bërë dhe PD-ja, ai u shpreh se ”fillimisht kërkesa ka qenë për pavlefshmëri dhe më pas është kërkuar rivlerësim dhe rinumërim”.
“Patjetër nëse do ta kishte bërë më parë PD-ja, unë nuk do e kisha bërë ankimimin,” shtoi Alimehmeti.
Duke u ndalur në procesin e rinumërimit, ish-kandidati për deputet i PD-së u shpreh se:
“Këto fletë që janë parë në videot e KQZ-së janë rifutur sërish në kuti dhe kur rihapet kutia nuk qenkan të njëjtat. Këto ngrenë një tjetër diskutim shumë të madh që a janë futur duart në kuti? A janë konservuar siç duhet votat brenda? Nëse kjo është e vërtetë unë i ftoj organet kompetente.“
/rtsh.al/