Rinumërimi i votave në Tiranë – Vijon hapja e kutive, kandidatët vërejtje për “zhdukjen” e votave

Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” vijon procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranës.
Nga ky proces, i cili ka nxjerrë në pah lëvizje votash, deri tani rezultati mbetet i pandryshuar, si për subjektet politike, edhe për renditjen e kandidatëve.
Gabimet e zbuluara janë minimale dhe nuk ndikojnë rezultatin përfundimtar.
“Bëhet fjalë vetëm për pretendime, për bishta kryqesh. Pra, a është bishti brenda kutisë apo është jashtë kutisë. A është qendra e kryqit mes dy kutive apo brenda një kutie, çka tregon qartësisht se ka të bëjë vetëm me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash,” u shpreh anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho.
Procesi i rinumërimit ka nxjerrë në pah edhe vota të pavlefshme apo shenja të pazakonta në fletëvotim, përfshirë edhe simbole jo të përshtatshme.
Braho sqaroj se vendimet merren sipas manualit orientues dhe çdo kontestim mund të paraqitet pranë KAS-it.
“Manuali i miratuar nga Komisioni Rregullator është orientues dhe nuk mund të parashikohet fantazia e çdo votuesit apo zgjedhësi në manual, që të sillemi si me një proces mekanik për të vlerësuar votat e vlefshme apo të pavlefshme,” shtoi z. Braho.
Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vulosur rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit për katër qarqe: Kukës, Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër.
Ky vendim i KQZ-së vjen pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimet e Partisë Demokratike për këto qarqe, sikundër ka rrëzuar edhe ankimimet për qarqet Berat dhe Dibër, ku opozita kërkonte shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve të 11 majit.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/