Riorganizimi i “ish-Kinostudios”, qeveria kalon prona të reja nën administrimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm që ripërcakton administrimin e aseteve shtetërore në zonën e njohur historikisht si “ish-Kinostudio”. Me propozim të Kryeministrit, qeveria ka vendosur kalimin e një liste të re pronash të paluajtshme nën përgjegjësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të cilat do të vihen në dispozicion dhe përdorim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK).
Ky vendim vjen si një ndryshim thelbësor i vendimit të mëparshëm të vitit 2014, i cili i kalonte administrimin e truallit dhe ndërtesës së korpusit qendror të “ish-Kinostudios” nga shoqëria “Alba Film” sh.a. drejtpërdrejt te Ministria e Kulturës.
Ndarja e aseteve për funksione specifike
Me aktin e ri, një pjesë specifike e pronës shkëputet nga paketa e përgjithshme e menaxhuar deri më tani nga Ministria, për t’iu kaluar ekskluzivisht institucionit që mbulon politikat e filmit.
Sipas pikës 2 të vendimit, qeveria sqaron ndarjen juridike:
“Prona e përcaktuar hiqet nga sipërfaqja e truallit funksional dhe sipërfaqja ndërtimore, pjesë të vendimit nr. 471, datë 9.7.2014, të Këshillit të Ministrave, ‘Për kalimin në përgjegjësi administrimi nga ‘Alba Film’, sh.a., te Ministria e Kulturës’.”
Përshkrimi i saktë i pronës (formularët dhe harta kadastrale) janë bashkëlidhur me vendimin, duke siguruar që QKK të ketë hapësirat e nevojshme për të ushtruar veprimtarinë e saj mbështetëse për kinematografinë shqiptare.
Ruajtja e destinacionit
Një detaj thelbësor i këtij transferimi është kufizimi strikt që qeveria u ka vendosur institucioneve përfituese, për të garantuar që këto ambiente t’i shërbejnë vetëm artit dhe kulturës.
Në vendim theksohet prerazi:
“Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe ta tjetërsojnë atë.”
Ky rregull ligjor bllokon çdo mundësi që këto prona të paluajtshme të jepen për qëllime tregtare të palidhura me kinematografinë apo të privatizohen në të ardhmen.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, vetë Qendra Kombëtare e Kinematografisë, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila do të bëjë regjistrimet përkatëse sipas ndryshimeve të reja.
/rtsh.al/