Rishikohet Buxheti 2025,10 milionë dollarë për investimin në “Thinking Machines Lab”

Me qëllim financimin e projektit të investimit start-up “Thinking Machines Lab”, u miratua në Komisionin e Ekonomisë rishikimi i Buxhetit 2025.
Ky start-up inovativ drejtohet nga shqiptarja Mira Murati dhe qeveria shqiptare do të bëhet aksionere me një vlerë prej 10 milionë dollarësh.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, sqaroi deputetët lidhur me këtë kërkesë financimi.
“Ky fond iu akordua MEKI-t në cilësinë e aksionerit të vetëm të korporatës së investimeve Shqiptare për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në start-up-in e ‘Thinking Machines Lab’ me një vlerë jo më pak se 10 milionë dollarë, pagesë e cila duhet të bëhej brenda datës 29.04.2025 sipas kërkesës së përcjellë në të njëjtën datë. Realizimi me urgjencë i këtij akti normativ erdhi edhe nga fakti se projekti duhej të financohej në një kohë sa më të shpejtë me qëllim që fillonte zbatimin, dhe të siguroheshin përfitimet e nevojshme,” deklaroi ministri Malaj.
Ky start-up është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e Inteligjencës Artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë.
Financimi prej 10 milionë dollarësh, sipas relacionit, do të mbulohet nga të ardhurat e fituara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/