Rishtetëzohet shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve

Shërbimi i kontrollit teknik të mjeteve, i njohur si kolaudimi i tyre, prej 31 majit po ofrohet nga shteti.
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor e cila është kryer ta kryejë këtë shërbim po vijon investimet për përshtatjen e kapanoneve rajonale.
“Me zgjerimin e shërbimeve tona edhe me kontrollin teknik të mjeteve rrugore nisëm përshtatjen e kapanoneve tona në rajonalet ku kishte vështirësi për shërbimin e kontrollit fizik, si në rastin e DRSHTRR Laç (Kurbin) ku po ndërtojmë ambient të ri shtesë dhe njëkohësisht po rikualifikojmë tërësisht ambientet e kontrollit teknik, për të optimizuar kushtet e punës për punonjësit dhe për qytetarët e subjektet”, bën të ditur DPSHTRR.
Kolaudimi i mjeteve rinisi më 31 maj dhe kategoritë e para që u përfshinë në proces janë mjetet që kryejnë transport ndërkombëtar, transport udhëtarësh, mjetet që kanë hyrë për herë të parë në vendin tonë dhe nuk kanë bërë asnjëherë kolaudim dhe më pas mjetet që janë rrëzuar në kolaudimin e fundit.
Me rikthimin e këtij shërbimi te shteti, automjetet do të kryejnë kontrollin teknik çdo 2 vjet, çka përgjysmon koston për qytetarët.
Në vitin 2008 qeveria e asaj kohe vendosi që shërbimin e kolaudimit të automjeteve, t’ja jepte si konçesion kompania zvicerane SGS Automotive Albania.
Pavarësisht përmirësimit të shërbimit sërish pati akuza për fitime të padrejta.