E Martë, 3 Nëntor 2026

Rivalitet, emocione dhe duele të mëdha, të premten nis sezoni i 87-të i “Abissnet Superiore”

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Të premten nis edicioni i 87-të i kampionatit më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, “Abissnet Superiore”.

Sezoni i ri hapet me përballjen mes dy skuadrave finaliste të “Final 4” të vitit të kaluar, Vllaznia e Egnatia, duke sjellë menjëherë emocion dhe rivalitet. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 20:00.

Kujtojmë që Egnatia u shpall kampione e Superiores 2024-2025, pas fazës Final 4. Skuadra e Rrogozhinës mposhti Vllazninë 4–0 në ndeshjen finale më 12 maj 2025 dhe fitoi titullin e dytë në historinë e këtij klubi.

Ky sezon shënon rikthimin e Flamurtarit pas 5 vitesh mungesë. Vlonjatët janë përgatitur me afrime të rëndësishme në merkato dhe investime në stadium, për të qenë gati për një rikthim të fortë në elitë.

Një tjetër risi është debutimi historik i Vorës në Superiore. Pas një sezoni mbresëlënës në Kategorinë e Parë, ku dominoi kampionatin, skuadra kryeqytetase do të provojë veten përballë më të mirëve.

Kampionati i ri pritet të sjellë edhe një garë të fortë për titullin. Kampionët në fuqi të Egnatias, ashtu si edhe rivalët e tjerë, janë përforcuar në merkato për të qenë gati për të arritur objektivat sezonalë.

Ndërkohë, Dinamo City vijon rrugëtimin europian dhe është shumë pranë një momenti historik për klubin dhe për futbollin shqiptar.

Rivalitet i madh, emocione të forta dhe duele të zjarrta do të shoqërojnë çdo javë të edicionit të ri të “Abissnet Superiore”. Një kampionat që premton të jetë më i fortë se kurrë më parë.

Abissnet Superiore 2025-2026

JAVA 1
E premte, 22 gusht
Vllaznia – Egnatia, ora 20:00, “Loro Boriçi”

E shtunë, 23 gusht
Bylis – Tirana, ora 17:00, “Adush Muça”
AF Elbasani – Flamurtari, 20:00, “Elbasan Arena”

E diel, 24 gusht
Partizani – Vora, ora 20:00, “Arena e Demave”
Teuta – Dinamo City, ora 20:00, “Niko Dovana”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›