Robert Kubica rifition ndienjat

Ai rrezikoi jetën një ditë më parë në një aksident të dhunshëm me një makinë reli, në Itali. 26-vjeçari ka pësuar fraktura të shumta dhe ende nuk dihet nëse do të rifitojë kontrollin e plotë të dorës së tij të djathtë.
Në gjendjen aktuale, nuk dihet nëse polaku do të rikthehet të garojë, por është e sigurt qëndrimi i tij një vit larg kompeticionit. Për mjekët, fakti që Kubica hapi sytë dhe dha shenja se kuptonte ku ndodhej, është një lajm i shkëlqyer.
”Sipas mjekëve, ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara”, deklaroi agjenti i pilotit të Formulës 1, Daniele Morelli. Ndërkohë, në një komunikatë të Renosë, mësohet se ka lëvizur edhe gishtërinjtë, ndërsa u lejua të vizitohej prej familjes.
”Për të shmangur dhembjet dhe çdo stres fizik, Roberti do të vazhdojë të jetë nën efektin e qetësuesve në 24 orët në vazhdim”, vazhdoi agjenti.
”Ndërkohë, mjekët do të vendosin se si do të trajtojnë frakturat në bërryl dhe shpatullën e tij. Atij mund t’i duhet t’i nënshtrohet një operacioni tjetër, por pas disa ditësh hapësire”.