Rohani: Irani mund të pasurojë uranium deri në 90 për qind!

Presidenti në largim i Iranit, Hasan Rohani deklaroi se Irani është i aftë të pasurojë uranium për qëllime paqësore deri në 90 për qind pastërti, nëse është e nevojshme.
Sipas televizionit shtetëror, duke folur gjatë një takimi të kabinetit, Rohani theksoi se programi bërthamor i Teheranit po zhvillohet vazhdimisht.
“Agjencia Iraniane e Energjisë Atomike ka aftësinë për të pasuruar uranium me një pastërti deri në 90 për qind nëse është e nevojshme”, shtoi Rohani.
Kohët e fundit nisën bisedimet në Vjenë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe SHBA-së, Britanisë, Francës, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë, në një përpjekje për ta kthyer Uashingtonin në marrëveshjen e nënshkruar./ ATSH