Rokerët akuzohen për satanizëm

Studioja e Amr Hefny ndodhet në bodrumin e një ndërtese në periferi të Kajros. Hefny pohon se është i sigurt që studioja e tij nuk do ta bëjë të pasur, andaj ai, thjesht, do të mundohet që edhe një herë ta nxjerrë zhanrin që për vite të tëra ishte ndaluar në muzikën e Egjiptit.
Në moshën 20-vjeçare Hefny interpretonte me grupin heavy-metal Severed. Vargjet e këngëve të asaj periudhe ai s’i konsideron të “errëta”, edhe pse ky argument nuk i bindi forcat egjiptiane të sigurimit, të cilat në janar të vitit 1997 hynë me forcë në shtëpinë e nënës së tij.
"Ishin sikurse skuadrat amerikane SWAT. Pothuajse e shkatërruan gjithë banesën”, kujton Hefny, i cili asokohe përfundoi në pranga.
Bashkë me 20 rokerë të tjerë, dhe me dhjetëra adhurues të atij zhanri muzikor, u dërguan në burgun famëkeq Tora, në Kajro. Autoritetet egjiptiane i akuzuan për pjesëmarrje në orgji dhe për “thirrjen e shpirtrave të të vdekurve”. Shtypi i kontrolluar i vendit shkoi edhe më larg, duke pohuar se të rinjtë pinin gjak macesh.
Amr u liruar pas mbajti një muaj. Autoritetet nuk gjetën asnjë provë për të vërtetuar akuzat e ngritura, përveç disa audi-kasetave e pllakateve të grupeve Guns’n'Roses dhe Metallica, që i gjetën në dhomën e tij tç fjetjes.
Rikthimi i frikës
Në kohën e këtyre arrestimeve rokerët egjiptianë filluan të fshiheshin dhe të mos krijonin, më për shkak të frikës nga arrestimet.
Si rrjedhojë, pasojat e asaj periudhe ndjehen edhe sot. Mirëpo, këto kujtime të vitit 1997 nuk i prekin të rinjtë që asokohe ende ishin fëmijë.
"Kur e kuptojnë që jam pjesë e një grupi metal ata më thonë: ‘Oh po ti je shumë e mirë!?'. E, unë iu përgjigjem me pyetje: ‘Pse, a duhet që patjetër të jem person i keq dhe në depresion për ta pëlqyer heavy metalin?”, tregon mësuesja, Rasha Magdy Sayed, e cila bashkë me bashkëshortin e saj, Wael Osama, këndon për grupin heavy-metal Enraged.
Si do që të jetë, kur pas një koncerti heavy metal, që u mbajt në muajin shtator në sallën e Kajros El Sawy në Kajro, sërish u rishfaqën akuzat për satanizëm, muzikantët filluan të trembeshin.
"Në fillim u shqetësova shumë, sepse do të ndërmerreshin masa ligjore ndaj nesh, ose jo”, tregon Sherif Tarek Saad, nga rok-grupi Origin.
Akuzat për satanikëm i ngritën nga disa avokatë të partisë Liri dhe Drejtësi. Sipas tyre, gjatë koncertit ishin kryer disa rituale sataniste.
Megjithatë, ky pretendim i tyre u hodh poshtë nga qendra kulturore El Sawy, kështu që muzikantët mund të merrnin frymë lirisht.
Aleanca e çuditshme
Amr Hefny ka një teori lidhur me atë se, përse gjërat ndryshojnë tani.
Gjatë burgimit të tij, 15 vjet më parë, ai dhe pasuesit e tij ishin futur në të njëjtën qeli me të rinjtë ekstremistë myslimanë, të cilët në vitet e 90’a kishin kryer akte terroristë në Egjipt. Fillimisht, të dy grupet ishin konfrontuar keq, por më vonë ishin bërë miq.
Ndoshta Vëllazëria Myslimane, e cila gjatë kohës së sundimit të Hosni Mubarak ishte në ilegalitet, ka pak simpati edhe për rokerët e rinj egjiptianë, të cilët, pavarësisht asaj se kryesisht vishen me të zeza, dhe mbajnë flokë të gjata, në fakt janë vajza dhe djem të kulturuar.
Kitaristi i grupit Origin, Mohamed Akram, shprehet se gati pas secilit koncert të mbajtur në opinion dalin edhe akuzat për satanizëm, megjithëse rokerët egjiptianë tani janë më të sigurt, sepse kanë një aleat shumë të fuqishëm - Vëllazërinë Myslimane.