Roli i Amerikës në ndryshimin e botës arabe
Pranvera Arabe krijoi një lëvizje masive për reforma politike anekënd Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Revolucioni vazhdon të transformojë politikën e rajonit dhe ka treguar disa shenja të krijimit të reformës sociale. Në Pranverën Arabe kishte mungesë të një lideri qendror; mirëpo, mungesa e një lideri ka shtyrë çdo individ drejt udhëheqjes. Me shumë individë që merrnin në zotërim grupacionet e tyre, revolucioni i arabëve u bë më i madh nga ç’e pritej. Qëllimi i kësaj proteste jo të dhunshme për qytetarët arabë ishte të ngrinin zërin kundër shtypjes dhe padrejtësive me të cilat ishin përballur prej dekadash nën regjimet pro-amerikane. Korrupsioni dhe padrejtësitë ekstreme të këtyre regjimeve e bënë të pamundur respektimin e udhëheqësve nga ana e popullit.
Çështja ishte se korrupsioni nuk ishte problemi i vetëm i popullit me regjimet; më saktë, problem ishte përhapja e korrupsionit në jetën e përditshme. Nga rastet e mashtrimit deri tek ato të devijimit ndaj rregullave – qoftë edhe duke përdorur lidhjet e tyre për të krijuar qarqe në shkurta – ky aspekt i këtyre regjimeve ishte dhe ende mbetet një çështje e madhe për shtetet arabe. Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht i kanë ndihmuar emigrantët që kanë shkuar në SHBA, të cilët u kanë ikur vështirësive në vendet e tyre. Kohët e fundit ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nxjerrë këtë qasje jashtë kufijve të tyre dhe e kanë aplikuar në nivel ndërkombëtar. Amerikanët kanë fituar reputacion jo të mirë duke shkuar në vendet ku zien konflikti dhe duke menduar se prezenca e tyre atje do të bëjë të gjithë ndryshimin.
Shtetet e Bashkuara nuk janë të huaja për marrëdhëniet e lëkundshme me kombet arabe, dhe me fillimin e Pranverës Arabe e ardhmja e këtyre marrëdhënieve do të bëhet edhe më fragjile. Në një shtet si Egjipti, ku Mubaraku dhe regjimi i tij mbajtën kontrollin politik të vendit për dekada të tëra, ishte qetësuese për SHBA-të të dinin se lidershipi me të cilin po merreshin vesh ishte i qëndrueshëm, madje edhe nëse nuk binin dakord me politikat e këtij lidershipi. Tanimë që koka e shtetit ka ikur, Amerika nuk e di se ku qëndron me Egjiptin. Në vend që t’i lërë çështjet egjiptiane të shterojnë vetvetiu, Amerika po përpiqet të hedhë para dhe ide tek Arabët në përfitim të saj.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundrazi, duhet ta përdorin Pranverën Arabe si një mundësi për të rindërtuar imazhin e saj si superfuqi dhe për të zhbërë perceptimet negative që ka bota arabe për Amerikën. Amerika nuk ka arritur në gjendjen aktuale hap e mbyll sytë; Amerikanët duhet të kuptojnë se do të nevojitet kohë që kombet e Pranverës Arabe të rikthehen në këmbët e veta dhe të krijojnë identitete të reja për veten e tyre. Qytetarët e këtyre shteteve janë, në fund të fundit, njerëz që po kërkojnë liri, bash sikur kanë bërë baballarët themelues të SHBA-ve. Amerikanët mendojnë për Lindjen e Mesme dhe e lidhin me naftën, po aq sa edhe me kërcënimin terrorist. Ata duhet t’i lejojnë shtetet e Pranverës Arabe të zhvillohen, gjë e cila do t’i binte për shtat edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sikundër atyre vetë. Një ditë ata mund të bëhen partnerët demokratikë të Amerikës në skenën botërore- në mënyrën e tyre.