Roli i medias në zgjedhje, sfidë për vitin tjetër mbulimi i votës së emigrantëve

Sfidat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare bënë bashkë sot në një tryezë diskutimi Kryekomisionerin Ilirjan Celibashi, Ambasadorin e OSBE në Tiranë Michel Tarran, përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile.
“Media formëson opinionin publik dhe mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e zgjedhjeve. Raportet e OSBE/ODIHR-it vënë në pah sfidat e vazhdueshme në mbulimin mediatik të zgjedhjeve dhe fushatave, shumë prej të cilave janë sistematike dhe përsëriten. Një zhvillim i dukshëm, përpara zgjedhjeve të ardhshme, është futja në përdorim i votimit nga jashtë, ky elektorat i zgjeruar paraqet sfida të reja”, tha kryetari i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kërkoi që media të jetë totalisht e lirë dhe të mos i kërkohet të raportoj të kundërtën e fakteve.
“Duhet një balancë midis nevojës për të rregulluar veprimtarinë dhe nevojën për ta lëne median të lirë. Media duhet të jetë e tillë që të mos jetë me pozitën që duhet të thotë ndryshe nga ajo çfarë shikon”, tha kryekomisioneri Ilirian Celibashi.
Eksperti i OSBE-ODIHR Ivan Godarski theksoi se duhen ndryshuar rregullat e Kodit Zgjedhor për ndarjen e kohës së transmetimit për garuesit duke reduktuar avantazhin e partive kryesore parlamentare me një ndarje më të drejtë të kohës për të gjitha partitë konkurruese./vizionplus.tv