E Diel, 1 Nëntor 2026

Romet Totozani Shteti te nderhyje urgjentisht

Avokati i Popullit, Igli Totozani, kërkoi nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Punës që të gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për sistemimin e familjeve rome të shpërngulura me dhunë nga banesat e tyre.

Në një deklaratë për shtyp, ndërsa kërkoi nga autoritetet që të marrin përsipër përgjegjësinë që i takon, Totozani denoncoi se: “Dëbimi i romëve vijoi gjatë mesnatës, ndërsa asnjë institucion nuk ndërhyri për të penguar këtë akt arbitrar”. Në cilësinë e detyrës që mban, Totozani i kërkoi shtetit që: “të zbatojë politikat antidiskriminim që është zotuar të ndjekë dhe njëkohësisht ligjet ndërkombëtare, mbi të drejtat e njeriut, të ratifikuara nga shteti ynë”. Avokati i Popullit, shtoi se nëse kjo situatë do të vazhdojë dhe asnjë masë nuk do të merret për të sistemuar familjet rome, Shqipëria jo vetëm është duke mohuar një prej të drejtave bazë të njeriut, atë të strehimit, por edhe do të konfliktohet me partnerët e saj perëndimorë. Familjet rome u larguan gjatë mbrëmjes nga trualli në të cilin jetonin në Tiranë, pasi vendi ku ata kishin ngulur tendat do të përdoret për ndërtim. Megjithatë, asnjë institucion shtetëror nuk ka menduar për strehimin e tyre paraprakisht, diçka për të cilën vetë Totozani, por edhe organizata të mirënjohura ndërkombëtare si OSBE dhe “Amnesty International”, kanë protestuar fuqimisht gjatë këtyre ditëve. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›