Rona Nishliu me "SUUS" në Eurosong
Pas mbylljes së natës së fundit të Festivalit të Këngës në RTSH, publiku dhe juria kanë shënjuar këngën fituese që do të përfaqësohet në Festivalin Europian të Këngës. Nga 20 këngët finaliste disa prej tyre janë diskutuar në rrethin e jurisë dhe janë etiketuar si të preferuara që në dëgjimin e parë gjatë dy netëve të para. Kanë fituar duartrokitjet e publikut këngëtarja kosovare, Rona Nishliu, me këngën e fuqishme “Suus”, Altin Goci me këngën ritmike “Kthehem prapë”, apo Elton Deda, i cili i kthehej pas shumë vitesh skenës së festivalit me këngën “Kristal”, dhe Saimir Braho me këngën e tij “Ajër”, por dhe të tjerë këngëtarë si Xhensila Myrtezaj me “Lule mbledh për hënën” apo Dr. Flori me “Personale”, dhe kantautori Bojken Lako me këngën rrok “Të zakonshëm”. Ndryshe nga edicionet e shkuara, këtë vit ishte e vështirë që të vendosje për këngën fituese. Debatet në këtë festival rreth saj kanë munguar. Ndryshe nga një vit më parë, kur ende pa nisur festivali u fol e u përfol për “shtije” të çmimit këtë vit arena e diskutimeve ka qenë thuajse shterpë në këtë drejtim. Megjithatë, ajo që vendosi në fund për çmimin e parë ishte vetë juria e përbërë nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, muzikologia Zana Shuteriqi, kitaristi Edmond Xhani, kompozitori Aldo Shllaku, aktori Ndriçim Xhepa, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari dhe kantautori Redon Makashi, i cili sapo ka fituar çmimin e parë në karrierën e tij në “Kënga Magjike”. Ishte kjo juri që dha në fund dhe vlerësimin për këngën fituese të Festivalit të 50-të të këngës në RTSH. Festivali, si zakonisht u transmetua direkt nga RTSH dhe këngëtarët për herë të parë kanë kënduar 100% live nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe të orkestrës së drejtuar nga maestro Shpëtim Saraçi. Një organizim, regji dhe skenar, që ashtu si dhe këngët ka ardhur shumë pranë publikut. Tre prezantuesit Hygerta Sako, Enkelejda Zeko dhe Nik Xhelilaj shpesh me naivitet që më së shumti vinte nga emocionet e skenës, sillnin ilaritet në sallë. Xhelilaj mund të mbetet më i përfoluri mes dy bukurosheve, të cilat treguan në katër netët e Festivalit se tashmë janë mësuar me komunikimin direkt me publikun, ndërsa Xhelilajn dukej sikur e kishin vënë të luante rolin e prezantuesit tij në sheshxhirim. Ashtu siç edhe pritej, përpara spektatorit në katër net u shfaq një festival, i cili i ishte rikthyer traditës së tij skematike herë pas here. Këngët finaliste që konkurruan mbrëmë ishin pjesa më e madhe balada, ndonjë me rimte rroku, xhazi api hip-hop. Të gjithë këngëtarët që në start i kanë hyrë kësaj gare me ambicien për të përfaqësuar Shqipërinë në “Eurosong”, por pavarësisht kësaj, siç thoshte dhe drejtori artistik i Festivalit, Shpëtim Saraçi, më shumë këtë vit është këmbëngulur tek muzika e mirë dhe të kënduarit live, që sipas tij kanë qenë shtyllat kryesore që kanë mbajtur gjallë këtë festival. E veçanta e këtij festivali kanë qenë edhe këngëtarët e ftuar, si Eddy Wata dhe këngëtarja britanike Katherine Ellis, që me ritmet e tyre ngritën sallën e Pallatit të Kongreseve në këmbë. E kështu, kompeticioni më i madh dhe më i rëndësishmi i këngës shqiptare, Festivali i 50-të i Këngës në RTSH mbylli natën e tij finale mes emocionesh të mëdha, të cilat kishin nisur që dy netët e para gjysmëfinale të tij, duke përcjellë edhe një sukses më shumë në vijueshmërinë e traditës së mrekullueshme të festivaleve në vite. Me një organizim dinjitoz, puna e stafit dhe e artistëve pjesëmarrës u shpërblye me kënaqësinë që mori publiku, i cili në shumë momente shpërtheu në ovacione për këngët e tij të preferuara. Sigurisht të kënduarit live e rrit shkallën e vështirësisë, por ashtu si në dy netët gjysmëfinale, edhe në natën e katërt këngëtarët treguan nivelin e tyre të lartë vokal. Kjo ndërthurje zërash, tingujsh, tekstesh e instrumentesh muzikore solli në sallën e Pallatit të Kongreseve katër net plot magji.