Rr
• Baton HaxhiuA është e drejtë të ngrejë zërin dikush, kur i imponohet heshtja pse ka qenë anëtarë jurie. A duhet ...të prishet sekreti i asaj që ka ndodhur në ditën e votimit. Po, duhet. Bota është e keqe kur fshihet e vërteta, kështu më tha një mik im tiranas, pasi refuzoja që të shkruaja për festivalin. Pasi lexova më vonë të gjitha shkrimet dhe debatet, i habitur me mendimet e politizuara vendosa të them atë që unë kam përjetuar. Kam për detyrë që ta mbroj dhe artikuloj interesin publik, e jo atë të polemikave pro et contra për kosovarizmin dhe antikosovarizmin. Atë që unë do mundohem ta them është po ai interesi publik, që do duhej mbrojtur dhe artikuluar nga të gjithë, edhe për faktin se me interesin publik po abuzohet në mënyrën më flagrante. Po shkruaj sepse në Kosovë dhe Shqipëri është keqkuptuar liria e të folurit, duke transmetuar informacione selektive, të pavërtetuara, shpesh të rreme, të rrezikshme dhe acaruese për festivalin Eurosong. Krejt e bazuar në një politizim Kosovë – Shqipëri. Po t’i kthehemi festivalit. Udhëheqësi i famshëm në CNN, Anderson Cuper, kishte të ftuar të famshmin Simon Cowell, të emisionit më të shikuar në SHBA, American Idol. Diçka si ethet. Diçka si Adi Krasta në Shqipëri. Flisnin për personazhet, për jetën dhe për idenë e krijimit të famës për moshat e reja. Por më e rëndësishmja e këtij emisioni ishte pyetja për Simonin dhe guximin e tij për të përzgjedhur këngët dhe njerëzit e moshave të reja. Për të përzgjedhur talentet e së ardhmes. Pyetja e vështirë nxjerr një përgjigje të mençur: Kështu thuhet në gazetari dhe si aksiomë del e vërtetë edhe kjo që quhej dialog i ashpër ndërmjet Cuper dhe Simon. Pyetjes “se kush të dha të drejtë të selektosh të ardhmen kur nuk di as të këndosh, as të luash me ndonjë instrument, as të jesh ndër ata që kompozon”? Një pyetje e tillë më doli para edhe mua kur mora thirrjen nga Drejtori i RTSH, Petrit Beci, për të qenë anëtar jurie në Festivalin e Eurosong të RTSH. Natyrisht, as ndërmend nuk më kishte shkuar që të jem pjesë e jurisë. Dhe ishte një sulm i bukur dhe i habitshëm i Petrit Becit para se të thosha jo, saqë, pastaj, nuk e refuzova dot pjesëmarrjen në juri. Jurinë e kisha konsideruar gjithmonë si diçka e veçantë, e përbërë nga njerëzit që s’kanë interesa, konflikt interesi dhe as dashamirësi dhe as konkurrencë brenda lojës. Bile i kisha konsideruar njerëz në moshë. Por si ta gjeja dilemën me veten dhe të arsyetoja prezencën time atje. Si çka? Si kompozitor? Natyrisht s’kisha lidhje me atë punë. Si muzikant. Jo? Si artist? Jo. Si çka, atëherë. Por, prej kohësh, e kisha një bindje të ngulitur, se të jesh këngëtar në kohën e tanishme nuk duhet shumë përkushtim, sepse gjithçka është e kompjuterizuar dhe e lënë në dorë të njeriut që ndërton muzikën dhe këngën mbi virtualen, e jo në atë që quhet zë dhe potencë këngëtari. E kisha të thelluar bindjen se Estrada dhe këngët në Shqipëri dhe Kosovë shpeshherë janë më shumë imazh se zë, janë më shumë produkt i një situate, frazave të dashurisë që idetë fshihen diku tjetër dhe mundësitë e realizuara tmerrojnë të gjithë, edhe ata që këndojnë dhe e dinë se s’janë këngëtar me zë dhe ata që kompozojnë dhe krijojnë një iluzion dhe imazh të rremë. Të dyja palët janë të tmerruara njëlloj në botën e tyre të krijimtarisë. Krejt kjo ndodh përderisa nuk del një ditë dikush dhe thotë se: të gjitha janë zbuluar, dhe e vërteta e hiteve dhe e këngëtarëve ka një gjë të përbashkët: gënjeshtrën si të vërtetë, sepse këndimi dhe këngëtari në industrinë muzikore ka humbur si kombinim dhe qëndrojnë, në shumicën e herëve, si gënjeshtra dhe e vërteta. Kuptohet me pak përjashtime. Për ta arsyetuar pjesëmarrjen time gjeta përgjigjen e Simonit në atë pyetjen e Cuperit të thënë më lartë: Unë nuk di as të kompozoj, as të këndoj, por unë e ndjej si 99% e amerikanëve se ç’ka është këngë që të shkakton ndjenjë dhe rrëqethje. Aty as nuk ka interes, as xhelozi dhe as përkushtim për të flirtuar me miqësinë. Kjo ishte e mjaftueshme që ta bind veten që të marr pjesë në juri. Por kisha edhe diçka personale. Që kënga më e mirë të shkonte në Beograd. E kisha si dëshirë dhe përkushtim që, nëse jo të parët, atëherë të dalim sa më mirë në Beograd dhe sa më të përfaqësuar. Po të mbahej ky festival në Helsinki, ta zëmë, nuk do të shkoja më asnjë çmim. Kështu, gjithë kohën isha midis frikës dhe dëshirës. E midis frikës dhe dëshirës duhet të gjesh një ekuilibër: Ekuilibër që mund të quhet ndjenjë për këngën më të bukur dhe më të përfaqësuar në Beograd. Nuk isha aspak i sigurt se ajo që bëja ishte e drejtë, por isha shumë i sigurt se ishte ajo që doja ta bëja. Të shkonte kënga më e mirë.Rrëfimi për jurinë Ndoshta mosbesimi i thellë ndërmjet njerëzve të muzikës, papërgjegjësia, klientelizmi edhe për gjëra banale, dyshimi se në ç’masë është e moralshme juria që të vendosin për fatin e një kënge në sy të publikut, ku të gjithë mund të fyheshin dhe të lavdëroheshin e bënin të vështirë ndjenjën për të qenë në një përbërje jurie. Epërsia morale ishte kushti kryesor që e bënte jurinë të fuqishme dhe fituese, apo e kundërta, buzëqeshja morale e fshehur me hipokrizinë e zakonshme e shoqëruar edhe me interesa në këto raste e bënin humbjen e besimit total të secilit anëtar i jurisë. Kishim edhe një problem paragjykues, cila këngë duhet të shkonte: të jetë më e mira dhe më e mira e më të mirave, por gjithashtu, të mos ishte krejtësisht nga Kosova. Inflacioni i frikës dhe morali i humbur në Estradë të fuste në një rrugë ku lehtë mund ta rrjeptë nderin, që me një idealizëm mund ta përfaqësoje. Isha krejtësisht naiv edhe në idenë e prapaskenave dhe mundësive të ndikimit. Kuptova se krejt bota e muzikës ishte e ndarë në tre apo katër klane, dhe të tjerët që vegjetonin në përpjekje për të fituar ndonjë betejë të vogël në luftën e të mëdhenjve. Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi dhe Ardian Hila ishin ata që njiheshin si monopolet e skenës muzikore të festivaleve.Gjithashtu ishin tre festivale që luftonin për të ndërtuar konceptin fitues të së ardhmes: Ai, Ardit Gjebreas, Top Fest i Top Channel dhe natyrisht Festivali i Eurosong që kishte fituar peshë së fundi për shkak të pjesëmarrjes në festivalin e Eurosong. Kjo për mua nuk thoshte shumë sepse gjithandej në botë njihen monopolet. Në biznes, gazetari, politikë pra edhe në muzikë, por janë të njohura si botë e konkurrencës së ashpër. Ishte edhe një problem që në start. Kënga e Edmond Zhulalit si drejtor i festivalit. Ideja ishte se a mund të ndalohej krijimtaria e dikujt nëse në një moment është edhe drejtor festivali. Jo, edhe po. Nëse do ishte një juri e pavarur, mund të interpretohej dhe vlerësohej si çdo krijim tjetër. Nëse do të merreshin përmasat shqiptare të ndikimit ku drejtori është fuqizues i projektit, ku gjithçka mund të marrë përmasa presioni, atëherë edhe mund të merrej si konflikt interesi. Por edhe ky problem u tejkalua. Juria e pavarur, pa asnjë dilemë dukej e bindur se do ta bënte punën më së miri. Të relaksuar deri në miqësi, edhe pse nuk njiheshim me shumicën prej tyre, u dakorduam që të votojë secili hapur. Por e kishim një kusht. Që të ketë një konsensus për katër këngët e para. Të votojmë secili në mënyrë të pavarur, por të kishte një parapëlqim që këngët e katërshes të jenë të votuara nga të gjithë. Por për këto këngë (katërshen) secili të votojë me pikë sipas ndjenjës dhe pëlqimit që ka.Dhe ashtu ndodhi. Kur u dëgjuan dy netët e festivalit dhe u vendosën pikët, ishte një harmoni dhe ndjenjë se nuk kishim probleme me shijen dhe dallimet. U habita edhe me veten se sa afër isha me ata që merreshin profesionalisht me muzikë.Harrova ta them, që na ndodhi një incident i bukur kur në dhomën e Këshillit Drejtues të RTSH, Xhuvani, që e përkraha plotësisht, kërkoi që ta lëshonin sallën z. Petrit Beci, Edmond Zhulali dhe drejtoresha e këtij Festivali. Për një moment u krijua një situatë e nderë, por kaloi shpejtë, sepse votat dhe këngët e dala me vota ishin ato që e larguan definitivisht dilemën e manipulimit. Por në një moment na doli buzëqeshja e epërsisë morale dhe patriotike: Kompozitori i madh Krajka, e fuqizoi dëshirën që kënga të ketë melos shqip, edhe për faktin se festivali po mbahej në Beograd. Natyrisht që ishte një konsensus që e gjithë autorësia e këngës që do të udhëtonte të ishte krejtësisht në shqip. Edhe tekstshkruesi, edhe autori i këngës, edhe këngëtari. Për habinë time na doli që njerëzit në Shqipëri nuk e njihnin idenë se një mbiemër shqiptar mund të kishte edhe prapashtesën me –iq, siç na doli te rasti i këngës së Rovena Dilos. Rovena doli që të eliminohej për dy arsye: Që ishte me autor jo shqiptar dhe që kënga e saj dukej keq e interpretuar.Në rastin e parë gabohej rëndë se autori i këngës ishte shqiptar nga Kosova, por ishte e kotë të sqarohej një mungesë informate se ka plot njerëz me mbiemër që përfundojnë me iq në Kosovë e që janë shqiptarë. Një idealizëm patriotik e mbante larg nga shikimet e vërteta. Kosova është e panjohur për shqiptarët, definitivisht. Ky është një konkludimi im i asaj nate që përfundoi me një debat goxha interesant në kafen përballë stadiumit. Por as që provova të bind dikë se të shkuarit me iq në Beograd nuk do të thotë se përfaqësohet me një joshqiptarë. Është fjala për një fakt që asnjë historian nuk do ta shënojë. Vitet që përshkonin jugosllavizmin në Kosovë po linin gjurmë edhe pas kaq vitesh lirie. Unë imagjinoja se jetoja në një botë ideale, ku njerëzit e këtij niveli njihnin njëri-tjetrin dhe dashuria jonë për Shqipërinë dhe Kosovën nuk ishte më si dikur, si dashuria e gjysmës së humbur të vetes sonë. Dhe e pëlqeja atë patriotizmin e ngjizur të profesorit, por e urreja vështrimin e tij të dëshpëruar deri në pa kufi pse kishte në Kosovë emra me iq. Kështu mendova se ne po vazhdojmë të sorollatemi pa e njohur njëri-tjetrin.Dëshpërimi i të gjithëve ishte Vesa e etheve. Dikush e njihte, dikush jo. Krejt ishte improvizuar në momentin e fundit në këngën e saj. Edhe veshja. E refuzuan të gjithë këngën e saj. Ajo bënte do lëvizje spasmodike të duarve dhe këmbëve që e zemëroi jurinë qysh në sallë. Si është e mundur që Vesa ka ardhur me këtë këngë. Drejtori Beci i prekur fort, që kishte qenë i bindur se kosovarët do të vinin me këngë të mira, pikërisht se arsyeja ishte Beogradi, ishte i zhgënjyer fort. Edhe Vesa, ra, tha me dhimbje. Dhe nga afër dërgon një vështrim të dëshpëruar për atë që e kishin mashtruar njerëzit në Kosovë. Kishte vënë bast drejtori se ajo do të dilte shumë mirë. Ndodhi e kundërta. Beci ishte i trembur dyfish: mund ta dëmtonte miqësinë me Kosovën dhe të dëmtohej Kosova edhe me një mungesë kënge në finale. Ai mbante dramën më të mahnitshme të estradës së atyre ditëve, por po pajtohej se duhej të përkulej para mrekullisë së rënies së Rovenës dhe Vesës. Votat përafrohen në mënyrë perfekte. Dhe tashmë ishim të sigurt se nuk do të gjendeshim në kuadër të një boshllëku. E panjohura po më zhdukej dhe nuk e kisha ndjenjën e Prishtinës që të shkosh në një festival si juri do të jesh i sigurt se do të gjendesh në mes bujarisë dhe banalitetit. Dhe, si njërën edhe tjetrën e ke shumë afër. Por në asnjë mënyrë s’doja të besoja se të nesërmen do të ndodhë ajo që njeriu zbuloi, atë natyrën e tij. Filloi të fshehë çfarë e bën të turpërohej, dhe në çastin kur u hoqën maskat na goditi një dritë e fortë...