Rrëfehet ish-oficeri rus: Trupat tona torturuan ukrainasit

Pretendime për marrje në pyetje brutale, ku burrat ukrainas u qëlluan dhe u kërcënuan me përdhunim, janë bërë nga një ish-oficer ushtarak rus. Konstantin Yefremov, oficeri më i lartë që ka folur hapur, tha në një intervistë për BBC se Rusia tani e sheh atë si një tradhtar dhe dezertor.
Në një vend në Ukrainën jugore, ai tha se “marrjet në pyetje dhe torturat vazhduan për rreth një javë”.
“Çdo ditë, natën, ndonjëherë dy herë në ditë”, ka treguar ai.
Yefremov tha se u përpoq të jepte dorëheqjen nga ushtria shumë herë, por ai përfundoi duke u shkarkuar pasi refuzoi kthimin në Ukrainë. Tani ai është larguar nga Rusia.
Ai ka treguar se ka qenë dëshmitar i marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të burgosurve ukrainas, ndërsa kujton një ditë kur u sollën tre të burgosur.
“Njëri prej tyre pranoi se ishte snajper. Me të dëgjuar këtë, koloneli rus humbi mendjen. Ai e goditi, i tërhoqi pantallonat e ukrainasit dhe e pyeti nëse ishte i martuar. ‘Po’, u përgjigj i burgosuri. ‘Atëherë dikush të më sjellë një leckë’, tha koloneli. ‘Ne do të të bëjmë vajzë dhe do t’i dërgojmë gruas tënde videon’. Një herë tjetër, thotë Yefremov, koloneli i kërkoi të burgosurit të përmendte të gjithë nacionalistët ukrainas në njësinë e tij. Ukrainasi nuk e kuptoi pyetjen. Ai u përgjigj se ushtarët ishin këmbësoria detare e forcave të armatosura ukrainase. Për këtë përgjigje ata i thyen disa nga dhëmbët. Kremlini dëshiron që rusët të besojnë se, në Ukrainë, Rusia po lufton fashistët, neo-nazistët dhe ultra-nacionalistët. Ky tregim i rremë shërben për të dehumanizuar ukrainasit në sytë e publikut rus dhe ushtrisë”, tha ai.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar raste të keqtrajtimit të të burgosurve në luftën në Ukrainë. Ai ka intervistuar më shumë se 400 të burgosur, si ukrainas ashtu edhe rusë./ BBC
/rtsh.al/