E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregullat e origjinës, Dogana forcon bashkëpunimin me CEFTA-n dhe BE-në

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Administrata Doganore Shqiptare vijon angazhimin për forcimin e bashkëpunimit doganor në rajon dhe përafrimin me praktikat evropiane për rregullat preferenciale të origjinës. Në këtë kuadër, përfaqësues të saj morën pjesë në takimin rajonal të zhvilluar në Sarajevë, ku u shkëmbyen përvoja dhe u diskutuan mënyrat e zbatimit të rregullave të origjinës në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Takimi u organizua nga Sekretariati i CEFTA-s, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme për Tatimet dhe Bashkimin Doganor të Komisionit Evropian (DG TAXUD), me pjesëmarrjen e administratave doganore të vendeve të CEFTA-s dhe ekspertëve të Komisionit Evropian nga DG TAXUD dhe DG GROW.

Në fokus të diskutimeve ishte zbatimi praktik i Konventës Rajonale të Rishikuar Pan-Euro-Mesdhetare (PEM), e cila përcakton rregullat për origjinën preferenciale të mallrave dhe lehtëson përfitimin e trajtimeve preferenciale në tregti.

Ekspertët trajtuan çështje që lidhen me kumulimin e origjinës, rregullat e tolerancës, sistemin e eksportuesve të regjistruar (REX), eksportuesit e miratuar, provat e origjinës dhe verifikimin e tyre, si dhe rregullat për kategori të veçanta produktesh.

Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua sfidave praktike të zbatimit të rregullave të rishikuara dhe nevojës për një interpretim të njëtrajtshëm nga administratat doganore të rajonit.

Për Administratën Doganore Shqiptare, pjesëmarrja në këtë forum përbën një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira me homologët rajonalë dhe ekspertët evropianë, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale.

Bashkëpunimi në këtë fushë synon të lehtësojë tregtinë, të rrisë sigurinë dhe parashikueshmërinë për bizneset dhe të forcojë zbatimin e standardeve evropiane në administrimin doganor.

Aktivitete të tilla mbështesin gjithashtu procesin e përafrimit të Shqipërisë me praktikat e Bashkimit Evropian dhe forcimin e bashkëpunimit doganor në rajon.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›