Rregullorja e GJKKO-së për median,OSBE: Kufizimet duhet të jenë proporcionale dhe të bazohen në rrezik konkret

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Zyra e OSBE-së në Tiranë vlerëson se disa dispozita të Rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator, duhet të interpretohen dhe zbatohen me kujdes, veçanërisht për sa i përket aksesit dhe raportimit të medias.
Në një reagim për Report TV, pas analizimit të rregullores, OSBE thekson se dokumenti ndjek qëllime legjitime të sigurisë, por kufizimet ndaj medias duhet të bazohen në një vlerësim individual të rrezikut dhe të marrin në konsideratë masa më pak kufizuese.
“Çdo kufizim që ndikon në pjesëmarrjen e medias, mbledhjen e informacionit ose raportimin, duhet të ketë një bazë të qartë ligjore, të ndjekë një qëllim legjitim dhe të jetë i nevojshëm dhe proporcional në rrethana”, vëren OSBE.
Një nga çështjet e veçuara është ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në sallën e gjyqit. Sipas OSBE-së, një telefon mund të përdoret për regjistrim ose transmetim, por edhe për mbajtjen e shënimeve elektronike apo dërgimin e raporteve me shkrim, veprime që nuk paraqesin domosdoshmërisht të njëjtin rrezik.
Për këtë arsye, OSBE vlerëson se “një ndalim i plotë i çdo mënyre të përdorimit të telefonave celularë, përfshirë raportimin e shkruar, mund të jetë më i vështirë për t’u justifikuar në seancat e zakonshme publike”, nëse nuk ekziston një vlerësim specifik i rrezikut.
OSBE evidenton gjithashtu mospërputhje mes Rregullores së GJKKO-së dhe udhëzimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor të vitit 2023. Sipas saj, udhëzimet e KLGJ-së lejojnë raportimin elektronik me shkrim nën kontrollin e gjyqtarit kryesues, ndërsa rregullorja e GJKKO-së vendos një kufizim më të gjerë.
Një tjetër dallim lidhet me kamerat. Ndërsa kuadri i KLGJ-së parashikon që kërkesa për praninë e kamerave të shqyrtohet në hapje të seancës dhe në prani të medias kërkuese, rregullorja e GJKKO-së parashikon njoftimin e vendimit përpara seancës.
OSBE thekson po ashtu se udhëzimet e KLGJ-së ruajnë si mekanizëm minimal transparence regjistrimin dhe transmetimin e pjesës hapëse të një seance publike, ndërsa kjo mundësi nuk parashikohet qartë në rregulloren e GJKKO-së.
Sipas OSBE-së, një ndalim i përgjithshëm dhe automatik për çdo rast “vështirë se do të pajtohej me parimin e proporcionalitetit” dhe me nivelin bazë të transparencës të përcaktuar nga KLGJ. Si alternativë, sugjerohet që regjistrimi i pjesës hapëse të seancave publike të ruhet si rregull i përgjithshëm, ndërsa kufizimet të vendosen nga trupi gjykues kur ekziston një rrezik konkret.
OSBE e konsideron gjithashtu mungesën e konsultimit përpara miratimit të rregullores si “një mundësi të humbur” për hartimin e rregullave më gjithëpërfshirëse dhe të mbështetura në fakte. Sipas saj, një dialog i strukturuar pas miratimit me median dhe KLGJ-në do të ishte ende i dobishëm për sqarimin ose përsosjen e dispozitave.
Në rekomandimet e saj, OSBE kërkon që pjesëmarrja e zakonshme në seancat publike të mos kushtëzohet nga autorizimi paraprak dhe që procedurat e aplikimit 24 orë përpara të lidhen kryesisht me regjistrimin audiovizual, vendet e rezervuara për median dhe rastet e aksesit të menaxhuar.
Ajo rekomandon gjithashtu dallimin mes regjistrimit apo transmetimit të paautorizuar dhe raportimit të shkruar, duke lejuar përdorimin e telefonave ose kompjuterëve për shënime dhe raportim sipas kushteve të përcaktuara nga kryesuesi i seancës.
Ndër rekomandimet e tjera janë harmonizimi i rregullores me udhëzimet e KLGJ-së, përdorimi i masave teknike më pak kufizuese, si pozicionet fikse të kamerave, transmetimet zyrtare, vonesa në transmetim apo anonimizimi, si dhe aplikimi gradual dhe proporcional i sanksioneve.
OSBE sugjeron gjithashtu që akreditimi të mbetet një mjet administrativ për identifikimin dhe lehtësimin e aksesit dhe jo një kusht që pengon gazetarët e paakredituar të ndjekin seancat publike, në varësi të kapacitetit dhe kontrolleve të sigurisë.
Në përfundim, OSBE rekomandon publikimin e udhëzimeve praktike dhe të të dhënave të anonimizuara mbi zbatimin e rregullores, si dhe krijimin e një pike të qartë kontakti për median për informacion mbi oraret, procedurat e aksesit, përdorimin e pajisjeve dhe vendimet e trupit gjykues.
/e.xh/a.f/