E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëmbyen dhe dhunuan 28-vjeçarin për qiratë e dy makinave, arrestohen vëllezërit dhe kushëriri i tyre në Lezhë

Dy vëllezër, administratorë të një subjekti që jepte automjete me qira, dhe kushëriri i tyre janë arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi dyshohet se morën me forcë dhe dhunuan një 28-vjeçar me pretendimin se nuk kishte paguar qiratë e dy automjeteve.

Sipas Policisë, ngjarja u zbardh pas kallëzimit të një 70-vjeçari, i cili denoncoi se djali i tij ishte marrë me forcë nga disa persona. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë identifikuan dhe arrestuan pak minuta më vonë tre autorët e dyshuar: shtetasit R. M., 28 vjeç, R. M., 22 vjeç, vëllezër, si dhe kushëririn e tyre, E. M., 22 vjeç.

Nga hetimet paraprake rezulton se tre të rinjtë e morën me forcë 28-vjeçarin në një karburant në fshatin Derven, në Krujë, duke pretenduar se ai u detyrohej para për dy automjete të marra me qira në subjektin që administronin dy vëllezërit.

Më pas, ata e transportuan drejt një karburanti në fshatin Shënkoll të Lezhës, ku dyshohet se e dhunuan fizikisht dhe më pas e lanë në rrugë.

I riu u dërgua në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën mjekësore dhe u largua në banesë, jashtë rrezikut për jetën.

Policia sekuestroi automjetin me të cilin 28-vjeçari u transportua nga Kruja në Lezhë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›