E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rreth 1 mijë të verbuar nga diabeti, Prof. Toti: Tani parandalimi edhe përmes kontrolleve me Inteligjencë Artificiale

Të vuash nga diabeti do të thotë që rreziku i humbjes së shikimit është 25 herë më i lartë se tek personat e tjerë.

Në vendin tonë janë mbi 100 mijë persona të diagnostikuar me Diabet Mellitus, ku rreth 30% e tyre janë të prekur nga retinopatia diabetike, ndërsa 5% nga edema makulare. Ndër këta, 1000 pacientë janë verbuar si pasojë e ndërlikimeve okulare.

“Një shifër që duhet të na bëjë të mendohemi, sepse ndërlikimet e diabetit janë të parandalueshme dhe mbi të gjitha, ajo që ka shumë rëndësi është depistimi, pra zbulimi sa më i hershëm i tyre. Për shembull, inteligjenca artificiale është një nga fushat që ka gjetur një përdorim të gjerë në diagnostikimin e hershëm të retinopatisë diabetike. Sot ka shumë aplikacione të cilat mund të japin një saktësi 80-90 për qind nëse një person ka prekje të syrit nga diabeti apo jo”, tha Prof. Florian Toti, endokrinolog, QSUT.

Klement Kanaj është ekzaminuar që në moshën 9 vjeç me diabet juvenil dhe sot, pas gati 4 dekadash, ai vuan nga hemorragjia në vitrozë për shkak të neovaskularizimit në retinë, një gjendje kjo që nuk parashikohet të mbulohet nga Fondi në protokollet e trajtimit.

“Protokolli nga infeksionet intravitrale të mos kufizohet vetëm nga disa kushte si edema makulare, por edhe për neovaskularizimet, si rasti që kam unë. Tjetra është edhe rimbursimi i shiritave të matjes së glukozës. Tani, unë 40 vite me diabet, me ç’të drejtë më përjashtojnë nga rimbursimi i fishave”, shprehet pacienti Klement Kanaj.

Sipas Prof. Totit, rreth 60% e diabetikëve i kanë nën kontroll sytë sa i takon diabetit, por ndjekja e mëtejshme çalon. Përparim është bërë në trajtimin e edemës makulare, ku injeksionet intravitrale më parë mbuloheshin vetëm për një vit nga Fondi, ndërsa tashmë ky kufizim është hequr.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›