Rreth 1000 pacientë të trajtuar pranë Shërbimit të Urologjisë në QSUT

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Shërbimi i Urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) ka trajtuar 1000 pacientë me diagnoza të ndryshme urologjike gjatë tre muajve të parë të vitit 2026.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri me dije shifrat, ndërsa deklaron në një postim në rrjetet sociale se përkushtimi dhe profesionalizmi i ekipit mjekësor është në shërbim të pacientëve çdo ditë.
“Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janë trajtuar rreth 1000 pacientë të shtruar në këtë shërbim, një tregues i angazhimit për të garantuar cilësi, siguri dhe kujdes maksimal”, thuhet në njoftim.
Sipas MShMS, fluksi i pacientëve reflekton si rritjen e ndërgjegjësimit për problemet shëndetësore, ashtu edhe besimin ndaj stafit mjekësor dhe teknologjisë së përdorur.
Mjekët e Shërbimit të Urologjisë kanë kryer një gamë të gjerë ndërhyrjesh, duke përfshirë trajtimin e sëmundjeve të prostatës, infeksioneve urinare, gurëve në veshka, si dhe patologjive më komplekse që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Shërbimi i Urologjisë në QSUT mbetet një nga strukturat kryesore në vend për trajtimin e patologjive urologjike, duke përballuar një volum të lartë pacientësh dhe duke synuar përmirësim të vazhdueshëm të shërbimit ndaj qytetarëve.
/e.i/ /a.g/