E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rreth 250 njerëz vdesin çdo ditë në Gaza, më shumë se në Siri dhe në Ukrainë

Ushtria izraelite bombardoi pjesën qendrore të Rripit jugor të Gazës gjatë natës, ku tha se vrau dhjetëra “terroristë”, me autoritetet e Hamasit që njoftuan se dhjetëra njerëz vdiqën gjatë natës, ndërsa konflikti midis Izraelit dhe lëvizjes islamike palestineze po i afrohet 100 ditëve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, ka më shumë se 59 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur që u dërguan në spitale pas sulmeve që ndodhë gjatë natës në disa sektorë. Në një njoftim më të fundit sot, ministria e shëndetësisë e enklavës tha se të paktën 23,708 palestinezë janë vrarë dhe 60,005 janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Rreth 151 palestinezë u vranë dhe 248 u plagosën në 24 orët e fundit, shtoi ministria.

Me një mesatare prej 250 vdekjesh në ditë, sipas këtyre llogaritjeve, numri mesatar i vdekjeve të kësaj lufte është “dukshëm më i lartë” se çdo konflikt tjetër i fundit, në Siri (96.5 vdekje në ditë), Sudan (51, 6) , në Irak (50,8), Ukrainë (43,9), Afganistan (23,8) dhe Jemen (15,8), tha Oxfam.

Në një deklaratë, organizata joqeveritare bën të ditur se situatën tashmë katastrofike të 2.4 milionë banorëve e ka përkeqësuar edhe më shumë rënia e temperaturave.

Lufta filloi më 7 tetor nga sulmet e paprecedentë dhe të përgjakshme nga militantët e Hamasit, të cilat vranë rreth 1,140 njerëz, kryesisht civilë, në jug të Izraelit. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›