Rreth 500 mijë turistë në 8 muaj në Pogradec, interes edhe për atraksionet kulturore e natyrore

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Pogradeci po përjeton një sezon turistik pozitiv, me një fluks të konsiderueshëm vizitorësh vendas dhe të huaj, ndërsa interesi për qytetin dhe atraksionet e tij vijon të rritet.
Bukuritë natyrore, liqeni, trashëgimia kulturore, klima, tradita dhe gastronomia po e pozicionojnë Pogradecin gjithnjë e më shumë si një destinacion që mund të vizitohet gjatë gjithë vitit.
Kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, në një intervistë për ATSH-në, e vlerëson sezonin turistik 2026 si pozitiv, duke theksuar se rritja e numrit të vizitorëve është shoqëruar edhe me zgjerimin e ofertës turistike dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale.
“Sezoni turistik 2026 në Pogradec paraqitet pozitiv dhe me një fluks të konsiderueshëm turistësh. Gjatë muajve të verës kemi pasur një fluks të konsiderueshëm vizitorësh, si nga Shqipëria, ashtu edhe nga turistë të huaj”, theksoi Xhakolli.
Sipas tij, interesi për Pogradecin ka ardhur në rritje falë kombinimit të pasurive natyrore dhe kulturore, ndërsa një element i rëndësishëm është edhe zgjatja e sezonit përtej muajve tradicionalë të verës.
“Një element i rëndësishëm ka qenë edhe zgjatja e sezonit përtej muajve tradicionalë të verës, çka tregon se Pogradeci po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit”, tha Xhakolli.
Të dhënat e këtij sezoni, sipas kryebashkiakut, flasin për një trend në rritje të turizmit në qytet, me interes të shtuar si nga vizitorët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj.
“Për periudhën janar-gusht 2026, Pogradecin e kanë frekuentuar rreth 500 mijë vizitorë, ndërsa korriku dhe gushti kanë qenë muajt me fluksin më të lartë. Vetëm për periudhën janar-korrik 2026, numri i turistëve të akomoduar në hotele ka arritur në 57 522, nga të cilët 13 130 të huaj dhe 44 392 vendas”, tha Xhakolli.
Sipas tij, shifrat e akomodimit nuk pasqyrojnë të gjithë fluksin turistik.
“Kjo pasi një pjesë e konsiderueshme e vizitorëve janë akomoduar në apartamente dhe shtëpi private që jepen me qira ditore nga banorët e Pogradecit”, shton Xhakolli.
Edhe atraksionet kulturore dhe natyrore kanë regjistruar një frekuentim të lartë.
“Bazilika e Linit ka pasur 6 616 vizitorë, nga të cilët 4 096 të huaj dhe 2 520 vendas. Ndërkohë, Parku i Drilonit ka regjistruar mbi 24 mijë vizitorë nga janari deri në fund të korrikut 2026, me një rritje prej 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Xhakolli.
Driloni dhe Tushemishti mbeten ndër zonat më të frekuentuara, krahas qytetit të Pogradecit dhe vijës liqenore.
Megjithatë, sipas kryebashkiakut, turistët po orientohen gjithnjë e më shumë edhe drejt atraksioneve kulturore dhe natyrore jashtë qendrës së qytetit.
Interes të madh vijojnë të kenë Bazilika e Linit, Kalaja e Pogradecit, shëtitorja, zonat e Mokrës dhe Gorës, si edhe atraksione të tjera si Guri i Kamjes dhe Varret Monumentale të Selcës.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e peshës së turistëve të huaj.
Sipas Xhakollit, analiza e statistikave vjetore tregon se përqindja e vizitorëve të huaj është në rritje në raport me turistët vendas.
“Turistët e huaj që kanë vizituar Pogradecin kanë ardhur kryesisht nga Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara, Polonia, Anglia, Spanja, Italia dhe Greqia, duke dëshmuar zgjerimin e interesit ndërkombëtar për destinacionin”, tha Xhakolli.
Fluksi turistik është reflektuar drejtpërdrejt edhe në ekonominë lokale.
Rritja e numrit të vizitorëve ka sjellë më shumë aktivitet për strukturat akomoduese, restorantet, baret, bizneset e vogla dhe shërbimet turistike.
“Sipas të dhënave të bëra publike, rreth 100 mijë turistë janë regjistruar vetëm gjatë muajve korrik-gusht, ndërsa strukturat akomoduese kanë qenë të rezervuara në nivele shumë të larta deri në mesin e shtatorit”, shprehet Xhakolli.
Përballë këtij fluksi, bashkia Pogradec ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e shërbimeve gjatë sezonit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë pastërtisë, hapësirave publike, plazheve, sigurisë dhe informacionit turistik.
Sipas Xhakollit, zona e plazhit ka qenë në një raport prej rreth 60% hapësirë publike dhe 40% private, ndërsa janë ofruar edhe çadra falas dhe shërbim rojesh plazhi. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe aksesit për personat me aftësi të kufizuara.
Kryetari i bashkisë Pogradec thekson se synimi është që rritja e turizmit të mos mbetet e lidhur vetëm me sezonin veror, por të shtrihet përgjatë gjithë vitit.
Pogradeci, sipas tij, ka të gjitha potencialet për ta arritur këtë objektiv, pasi ndërthur liqenin, natyrën, trashëgiminë kulturore, gastronominë dhe traditën.
Pogradeci po fiton gjithnjë e më shumë pozicion si një destinacion i preferuar jo vetëm për plazhin dhe liqenin, por edhe për natyrën, kulturën, gastronominë dhe turizmin gjithëvjetor.
Rritja e vizitorëve, shtimi i turistëve të huaj, frekuentimi i atraksioneve dhe kërkesa e lartë për akomodim, sipas tij, janë tregues se Pogradeci po konsolidohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën turistike të Shqipërisë, me synimin për të ofruar një ofertë cilësore dhe të larmishme gjatë të gjithë vitit.
1 nga 33/k.s/a.f/