Rrezik i lartë zjarresh në Greqi – 71 vatra u regjistruan të shtunën në vendin fqinj

Shërbimet e mbrojtjes civile në disa pjesë të Greqisë janë vënë në gatishmëri, për shkak të rrezikut të lartë të zjarreve. Vetëm të shtunën, në të gjithë vendin u regjistruan 71 vatra zjarri, shumë prej të cilave u vunë nën kontroll.
Greqia ka rritur nivelin e alarmit për rrezikun që vjen nga zjarret pasi 71 vatra zjarri u raportuan të shtunën në të gjithë vendin.
Shumë prej zjarreve u vunë nën kontroll, me përjashtim të atij në Lasithi në Ishullin e Kretës , ku tre persona u lënduan si pasojë e flakëve.
Në disa pjesë të vendit, pritet që erërat të jenë të forta, duke e bërë situatën jashtëzakonisht të rrezikshme, sipas ministrisë së Mbrojtjes.
Në zonat ku do të fryjnë erëra të tilla, përfshi krahinën e Athinës dhe të Kretës, të gjitha shërbimet e mbrojtjes civile janë vendosur në gjendje gatishmërie për rrezik të lartë nga zjarret.
Temperaturat që u regjistruan gjatë dimrit në vend kanë qenë mbi mesataren, ndërkohë që edhe në fillim të këtij muaji kanë arritur deri në 31 gradë celsius.
Greqia, ashtu si vende të tjera mesdhetare, verën e shkuar përjetoi një valë të gjatë të nxehti, ku 20 persona humbën jetën dhe 175 mijë hektarë tokë u shkrumbuan nga zjarret që përvëluan vendin.
/rtsh/