Rreziku i përmbytjeve, Berisha: Asnjë masë nga Qeveria, banorët të përgatiten vetë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se qeveria nuk ka marrë asnjë masë pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha i drejtoi një mesazh për të gjitha familjet shqiptare në zonat me rrezik për përmbytje.
Sipas tij, ata janë krejtësisht të braktisur nga qeveria, ndaj duhet të marrin çdo masë vetë dhe të bëjnë çdo përgatitje në mënyrë që të zvogëlojnë në maksimum mundësitë e dëmeve të një përmbytjeje të mundshme.
“Të dhënat janë për mot të keq dhe ky mot rrezikon më shumë se i pari për një seri arsyesh, sepse nuk është marrë asnjë masë, nuk është bërë asnjë rregullim pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë”, tha Berisha.
Berisha siguroi se deputetët e PD-së dhe këshilltarët e saj do gjenden në terren për solidaritet.
/m.m/a.f/r.e/