E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rreziku i pijeve energjike, toksikologia: Nga ankthi te problemet me zemrën, alarm për shëndetin e të rinjve

Pijet energjike janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë fëmijëve dhe të rinjve, duke u shërbyer si një burim energjie dhe stimulimi për momente të caktuara. Por, shumë prindër dhe mjekë janë duke ngritur alarmin për ndikimin e dëmshëm të këtyre pijeve për shëndetin e zemrës. Konsumi i shpeshtë i pijeve energjike tek fëmijët mund të sjellë probleme serioze kardiake, duke rritur rrezikun për probleme të rënda shëndetësore në të ardhmen.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, toksikologia Suela Xhufi theksoi se pijet energjike janë një problem global dhe se efektet negative në shëndet janë të shumta që përfshijnë jo vetëm ato kardio-vaskulare por edhe mendore dhe me sistemin imunitar.

“Pijet energjike që thonë se nuk kanë sheqer kanë ëmbëltues dhe këto janë më të rrezikshme pasi ka aftësinë që të rrisë gliceminë në nivele shumë të larta në krahasim me sheqerin. Janë substanca të tera që bëjnë çrregullimet të kockave te pacientët si çrregullim të kaliumit, të natriumit dhe bën që me kalimin e kohës duke mos lejuar absorbimin e kalciumit të kalojë në osteoporozë të hershme. Është zemra që jep aritmi, është sistemi nervor që të jep ankth dhe depresion, është ulja e sistemit imunitar, problemet gastro-intestinale për shkak të kafeinës, çrregullime të veshkave”, tha Xhufi.

Aritmi, ankth, pagjumësi, depresion, por edhe rreziku për sëmundjet në të ardhmen si osteoporozë e hershme apo diabet të tipit 2 janë vetëm disa nga pasojat që toksikologia Xhufi renditi si pasojë e përdorimit të pijeve energjike.

“Pijet energjike janë një problem global, pasi nuk konsiderohet si një substancë mjekësore por ushqim. Duke qenë se konsiderohet si ushqim, ka abuzime në sasinë e substancave që dëmtojnë shëndetin. Nuk lejohet përdorimi i pijeve energjike para moshës 12 vjeç. Ka kafeinën që nuk lejohet fare te fëmijët, sheqeri që ka shumë sasi të madhe, ka stimulantë të ndryshëm, ke neurotrasmetuesit apo aminoacidet që i përdorin për të rritur efektet pozitive por mënyra e përdorimit të tyre të çon më shumë në efekte negative se sa pozitive. Kafeina ka një ndikim shumë të madh jo vetëm në sistemin kardiovaskular që jep dehidratim dhe hipertension, ankth dhe pagjumësi. Kemi sheqerin ku ka një përdorim të madh, që ul oreksin dhe kjo krijon një rezistencë të insulinës në qelizë dhe e çon me kalimin e kohës në shfaqjen e diabetit të tipit 2. Rritja e kortizolit është një tjetër efekt negativ shumë i madh që e jep kafeina. Duke u rritur kortizolin që është hormoni i stresit dhe e mban trupin gjithmonë në alert. Rritet adrenalina që së bashku me kortizolin bën që trupi të jetë gjithmonë në gjendje ankthi, depresioni dhe probleme me gjumin”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse këto pije energjike krijojnë varësi, toksikologia Xhufi u shpreh se kjo ndodh për shkak të stimulantëve dhe neurotrasmetuesve që përmbajnë këto pije.

“Përdorimi i pijeve të energjisë bën uljen e serotininës dhe duke mësuar sistemin tonë me këtë lloj alerti, bëhet si pre që do e çojë pacientin që të jetë gjithmonë në këtë lloj nivelesh. Nuk do jetë i lumtur pa përdormini e pijeve energjike. Mund ta çojë në përdorimin e  drogave të tjera më të forta pasi në një farë mënyre ato janë stimulantë të trurit. Pijet energjike ndikojnë në shëndetin tonë mendor, kardiak dhe jo vetëm te adoleshentët dhe fëmijët”, përfundoi toksikologia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›