E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga lëndët piroteknike, Shërbimi Zjarrfikës në Gjirokastër intensifikon kontrollet

Shërbimi Zjarrfikës në Gjirokastër, gjatë këtyre ditëve, ka shtuar kontrollet në subjekte që tregtojnë lëndë piroteknike dhe fishekzjarre, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit.

“Si çdo vit, edhe këtë vit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ne ushtrojmë kontrolle në gjithë pikat e magazinimit, supermarketet për magazinimin dhe tregtimin e lëndëve piroteknike. Gjatë kontrolle të ushtruara, kemi konstatuar se në supermarketet e vendit tonë nuk kemi gjetur lëndë piroteknike”, deklaroi Aurela Cani, Shefe parandalimi në Shërbimin Zjarrfikës, Gjirokastër.

Për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për të gjithë qytetarët, Shërbimi Zjarrfikës bën me dije se këto subjekte do të mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

“Inspektimi do të vijojë edhe në marketet që janë më të vogla sepse zakonisht janë dyqanet e vogla ato të cilat bëjnë tregtimin e lëndëve piroteknike. Në pikat e mëdha siç janë supermarketet dhe pikat e magazinimit nuk kemi konstatuar apo gjetur lëndë piroteknike”, shtoi  Cani.

Tregtarëve dhe qytetarëve ju  bëhet apel të respektojnë rregullat e sigurisë dhe të shmangin përdorimin e pakontrolluar të mjeteve piroteknike.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›