E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet qeveria në Rumani, vota e mosbesimit zhyt vendin në krizë politike dhe pasiguri ekonomike

Parlamenti i Rumanisë ka rrëzuar qeverinë e kryeministrit Ilie Bolojan me votë mosbesimi, duke thelluar krizën politike dhe duke futur vendin në një fazë të re pasigurie.

Vendimi erdhi pas një debati të fortë në sallë, ku vetë Bolojan reagoi ashpër dhe e quajti mocionin të rremë, cinik dhe artificial, ndërsa paralajmëroi se ndryshimi i qeverisë në këtë moment nuk i shërben vendit.

Rolin kyç në këtë zhvillim e pati Partia Socialdemokrate, e cila u largua nga koalicioni pas pakënaqësive për politikat e kursimit dhe bashkoi votat me të djathtën ekstreme.

Ky bashkëpunim me Aleancën e Bashkuar të Rumunëve ka sjellë reagime edhe në nivel europian, për shkak të qëndrimeve të mëparshme të socialistëve kundër aleancave të tilla.

Qeveria e Bolojan ishte në pushtet prej vitit 2025, ndërsa rrëzimi vjen më pak se një vit nga zgjedhjet presidenciale të tensionuara. 

Rumania tashme rrezikon të humbasë 11 miliardë euro nga fondet europiane nëse nuk stabilizon financat deri në gusht. Kjo është hera e shtatë që një qeveri rrëzohet në këtë formë që nga rënia e komunizmit në vitin 1989.

Pavarësisht kaosit, kreu i shtetit është përpjekur të qetësojë opinionin publik duke garantuar se rruga perëndimore e vendit mbetet e paprekshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›