E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rriten rastet e kancerit të gjirit – Fluks mamografish në spitalin e Fierit, mjekët paralajmërojnë për faktorët e riskut

Në këto ditë të para të tetorit, Spitali Rajonal i Fierit po përballet me një fluks të shtuar të grave dhe vajzave që kryejnë mamografi.

Sipas mjekes onkologë, Anisa Mone, gjatë vitit 2025 janë diagnostikuar dhe trajtuar 30 paciente gra dhe tre pacientë meshkuj me kancer gjiri, dhe shifrat janë në rritje.

“Ky është muaji i ndërgjegjësimit për diagnostifikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Por fushatat ndërgjegjësuese nuk është vetëm gjatë muajit tetor, tashmë ndërgjegjësimi është rritur dhe gjatë gjithë vitit dhe është vënë një fokus më i shtuar në kancerin e gjirit. Kjo çon në kryerjen e ekzaminimeve imazherike në mënyrë të rregullt  dhe periodike në varësi të riskut që secila nga gratë dhe vajzat ka. Ekzaminimet bazë imazherike janë ekografi dhe mamografia e cila tek gratë mbi 40 vjeç duhet të bëhet , të paktën një herë në vit”, tha mjekja onkologe.

Mjekja onkologe rendit si faktorë kryesorë jetën sedentare, ushqyerjen e keqe, lindjet në moshë të madhe, mungesën e ushqyerjes me gji, faktorët gjenetikë dhe neglizhencën për të kapur sëmundjen në fazat e hershme.

“Në spitalin e Fierit, gjatë muajit tetor, ekzaminimi mamografik ofrohet falas, pa sistem referimi nga mjeku i familjes me një fashë orare më të zgjatur se ditët e tjera”, tha mjekja.  

Sipas mjekes grupmosha më e prekur është 50–70 vjeç, por fatkeqësisht ka raste edhe në moshë më të re, madje janë evidentuar edhe tre raste tek meshkujt.

Përveç rritjes së rasteve me kancer gjiri, vihet re shtim i të gjitha sëmundjeve malinje. Prej katër vitesh, spitali i Fierit ofron edhe shërbimin e kimioterapisë, duke shmangur udhëtimet drejt Tiranës për pacientët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›