E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rriten rastet e kancerit të gjirit në Lezhë – 30 gra të prekura, mungon kimioterapia në spital

Numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit në qarkun e Lezhës ka pësuar rritje gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të shërbimit onkologjik, vetëm në 9-mujorin e parë janë regjistruar 30 raste të reja, kryesisht në grupmoshën 45–60 vjeçe.

Mjekja onkologe, Bardha Gjoni, thotë se shqetësuese mbetet fakti që shumica e rasteve diagnostikohen në faza të avancuara, ndaj ajo bën thirrje për më shumë ndërgjegjësim dhe kontrolle të rregullta.

Mjekja onkologe Bardha Gjoni u shpreh se “Kemi një rritje të lehtë të numrit të rasteve të grave me kancer gjiri nga viti në vit. Ndërsa në krahasim me 15 vite më parë kemi dyfishim të rasteve. Për fat të mirë mund të themi që këtë vit nuk kemi grupmosha të reja nën 35 vjeç. Tani kemi dy mundësi që lidhen me zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe mjekimin e mirë. Nëse dimë t’i menaxhojmë mirë të dyja këto situata, do të jemi në rrugën e duhur.”

Të sëmurët me kancer gjiri nuk mund të trajtohen pranë Spitalit Rajonal të Lezhës, pasi aktualisht nuk ofron shërbimin e kimioterapisë për shkak të mungesës së një aparature, duke i detyruar pacientët të udhëtojnë drejt Onkologjikut në Tiranë.

“Kimioterapia ka dy vite që ka filluar të aplikohet në Spitalin Rajonal të Lezhës, por është ndërprerë në kohën e rikonstruksionit të spitalit. Për momentin nuk aplikohet kimioterapia sepse mungon një aparaturë, dhe shpresoj që së shpejti do të vihet në funksion.”

Në kuadër të muajit tetor, i njohur si Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, në Lezhë po organizohen një sërë aktivitetesh sensibilizuese, me qëllim nxitjen e grave dhe vajzave për të kryer kontrolle të rregullta dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›