E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet interesi për Universitetin e Shkodrës, raundi i parë më shumë studentë se vitin e shkuar

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka shënuar rritje të numrit të regjistrimeve në përfundim të raundit të parë për vitin e ri akademik, i cili nis më 6 tetor. Në një prononcim për mediat, rektori Tonin Gjuraj, u shpreh se disa programe studimi po tërheqin interes të shtuar për studentët e rinj.

“Ka një përqindje në rritje të regjistrimeve, mbështetur tek aplikimet dhe te kuotat. Flas në përqindje, bilancin e numrave e bëjmë në fund të raundit të tretë”, tha rektori.

Ndërkohë, për ciklin e dytë të studimeve (master), regjistrimet kanë nisur këtë të hënë dhe sipas rektorit Gjuraj pritet një pjesëmarrje e lartë, falë shtimit të disa programeve të reja që janë hartuar në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

“Viti akademik 2025-2026 ka një ofertë më të zgjeruar dhe më tërheqëse, sa i takon programit të ciklit të dytë. Ne kemi 24 programe studimi master i shkencave. Kemi patur 17, por sivjet do të kemi tre programe të reja të masterit të shkencave që mendoj që i përgjigjen nevojave të tregut të punës”, nënvizoi rektori.

Rektori Gjuraj theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së politikës lokale dhe perfaqësuesve të saj në Kuvendin e Shqipërisë për projektet zhvillimore të universitetit, mes të cilave spikat transformimi i tij në një kampus modern universitar.

UNISHK është tashmë një nga institucionet e arsimit të lartë ne vend  i plotësuar me të tre ciklet e studimeve me hapjen edhe të programeve të doktoraturës në Gjuhën Shqipe dhe Turizmin e Qëndrueshëm.

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›