E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet interesi për check-up falas në Kukës: Mbi 600 kontrolle vetëm në shtator

Në qytetin e Kukësit është vërejtur një rritje e ndjeshme e interesit për kryerjen e check-up-it falas, veçanërisht për grupmoshat mbi 35 vjeç.

Gazetarja Besjana Gërmizi raportoi për RTSH 24 se gjatë muajit shtator janë kryer mbi 600 kontrolle bazë në Qendrën Parësore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me muajt e mëparshëm.

Sipas mjekëve, ky interes i shtuar lidhet me përhapjen e virozave sezonale, gjendjen shëndetësore të popullatës dhe situatën e gripit.

Në këtë kuadër, sistemi i referimit po funksionon me efikasitet, ku mjekët e familjes orientojnë pacientët drejt specialiteteve përkatëse.

“Një nga elementët që ka funksionuar mjaft mirë në Kukës është sistemi i referimit. Mjekët e familjes luajnë një rol kyç në orientimin e pacientëve drejt specialiteteve përkatëse, duke ndihmuar në diagnostikimin dhe trajtimin më të saktë të problemeve shëndetësore. Ky sistem është aktiv jo vetëm në Qendrën Shëndetësore të qytetit, ku ka më shumë mjekë familje, por edhe në 15 qendrat shëndetësore rurale që ofrojnë shërbimin parësor dhe japin rekomandimet e nevojshme. Si rezultat, shumë pacientë i drejtohen mjekëve specialistë në kohën e duhur, duke përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor në të gjithë qarkun.”

Mjekët konfirmojnë se ka një ndërgjegjësim të shtuar për mënyrën e marrjes së shërbimeve bazë.

Ndërkohë, në kuadër të fushatës “Tetori Roz”, e cila synon ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, është vërejtur një fluks më i ulët për kryerjen e ekografive dhe mamografive krahasuar me vitet e kaluara.

 “Në kuadër të fushatës ‘Tetori Roz’, këtë vit nuk është vërejtur një fluks i lartë për kryerjen e ekografive dhe mamografive, krahasuar me vitet e mëparshme. Megjithatë, mjekët argumentojnë se interesi për këto ekzaminime është i shpërndarë gjatë gjithë vitit, falë mamografisë së palëvizshme që ndodhet prej pesë vitesh në Spitalin Rajonal të Kukësit. Kjo ka mundësuar akses të vazhdueshëm për gratë në kontrolle parandaluese, duke e bërë ndërgjegjësimin një proces të përhershëm dhe jo të kufizuar vetëm në muajin tetor.”

Kjo tendencë pozitive për check-up falas tregon një rritje të kujdesit për shëndetin në komunitet, ndërsa sfidat mbeten në sensibilizimin për kontrollet specifike si ato për kancerin e gjirit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›