E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet interesi për kredi bankare në Gjirokastër, kryesisht për investime në prona dhe biznese

Edhe gjatë muajit janar, në Gjirokastër vazhdon të vërehet një rritje e kredi-dhënies. Kjo lidhet kryesisht me politikat e bankave të nivelit të dytë, të cilat në periudha të caktuara kanë ulur normat e interesit, duke i bërë kreditë më të leverdishme për qytetarët.

Këto kushte favorizuese sipas ekspertëve të ekonomisë kanë shtuar interesin si të individëve që kërkojnë kredi për blerje pronash, ashtu edhe të bizneseve që synojnë vazhdimin ose zgjerimin e aktivitetit të tyre.

“Vijon të ketë një rritje të kredi-dhënies dhe kjo për faktin se bankat ulin normën e interesit në periudha të caktuara si për qytetarët e thjeshtë për blerje të pronave ashtu edhe për biznesin për investimet në biznesin e tyre”, tha Prof.Dr.As Antoneta Polo.    

Në Gjirokastër, zhvillimi i turizmit ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës për kredi. Banorët po tregojnë interes të shtuar për t’u marrë me turizëm, duke blerë prona dhe duke i përshtatur ato në bujtina familjare.

“Është rritur interesi i individëve për të investuar në prona e banesa për t’i kthyer në funksion të turizmit. Në këtë rast individët i drejtohen shpesh bankave”, tha Prof.Dr.As Antoneta Polo.    

Rritja e kredi-dhënies në Gjirokastër reflekton jo vetëm politikat më lehtësuese të bankave, por edhe interesin në rritje të qytetarëve për investime, veçanërisht në sektorin e turizmit. Kjo tendencë pritet të vijojë edhe në muajt në vijim, duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe aktivitetin sipërmarrës në qytet.

Gazetare B. Pëllumbi    

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›