E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet kredia për banesat, në gjysmën e parë të 2025 u rrit me 15% falë politikave lehtësuese

Gjysma e parë e vitit 2025 ka shënuar një rritje të kredisë për banesa në vend, dhe kjo kryesisht falë politikës monetare lehtësuese dhe besimit më të madh te sistemi bankar.

Kjo situatë e re vjen si shkak i kushteve më të favorshme që po ofrojnë bankat tregtare, sa i përket periudhës së shlyerjes së kredisë, por edhe normave më të ulëta të interesit.

Ilir Hebovija, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, e sheh riafrimin e kreditimit si një ndihmë jo vetëm për sektorin e ndërtimit, por për gjithë ekonominë. Nga ana tjetër, ai sugjeron një vëmendje më të madhe për të gjitha shtresat e ndryshme të shoqërisë.

“Duhet të shikohen edhe kushtet në të cilat ato japin këto kredi, në mënyrë që të jetë e menaxhueshme dhe e aksesueshme edhe nga një shtresë e mesme ose më poshtë se shtresa e mesme, në mënyrë që edhe ato të kenë mundësinë që të strehohen”, thotë ai.

Hebovija parashikon një prani të lartë të sektorit të ndërtimit edhe për vitet në vijim.

“Ne flasim sikur kemi shumë ndërtime, por ne harrojmë që jetojmë akoma në shtëpi me shumë banorë, kështu që nevoja për banesa dhe për të blerë banesa të reja është gjithmonë në rritje. Për një periudhë, unë them gati 10-vjeçare, do të jetë po i njëjti ritëm”, thekson zoti Hebovija.

Ndërkohë, marrëdhënien mes sektorit bankar dhe atij të ndërtimit e sheh si një garanci për investim të qytetarëve.

“Kalimi i çdo procesi nëpërmjet bankës, ndërgjegjësimi i qytetarëve që banka dhe ndërtuesi të krijojnë këtë lidhje me njëri-tjetrin. Sa më e fuqishme është kjo lidhje midis palëve, aq më e sigurt është paraja e qytetarit”, thotë ai.

Zhvillimin e sektorit në bashki të tjera të vendit, Hebovija e sheh si një sinjal pozitiv.

“Sa më shumë që zhvillohen qytetet, aq më shumë rritet mundësia edhe për sektorin e investimeve që të ndërtojë në ato qytete, dhe nuk ka nevojë që të përqendrohet e gjitha në Tiranë. Por diversifikimi i portofolit të ndërtimit edhe në qytete të tjera e bën Shqipërinë më tërheqëse, sigurisht bën edhe industrinë më të qëndrueshme”, nënvizon sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.

Banka e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë nën kontroll ritmin e kreditimit për të ruajtur qëndrueshmërinë financiare të vendit.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›