Rritet numri i viktimave në konfliktin mes Izraelit dhe grupit militant Hamas

Ministria e shëndetësisë që drejtohet nga Hamas në Gaza ka bërë të ditur se 17 177 palestinezë janë vrarë dhe 46 mijë të tjerë janë plagosur që nga sulmi që grupi militant ndërmorri ndaj izraelit në datën 7 tetor.
Në 27 orët e fundit, kanë humbur jetën 350 palestinezë dhe janë plagosur 1900 të tjerë.
Luftime intensive janë zhvilluar në kampi e refugjatëve xhabalia në veri të enklavës, ku ende vijojnë të jenë rreth 100 mijë persona të cilët rrezikojnë të vdesin edhe nga uria.
Që kur përfundoi armëpushimi i përkohëshëm, në veri nuk është arritur që të shpërndahen ndihma. Koordinatori humanitar i OKB-së Martin Grifith ndërkohë është shprehur se në jug të Gazës nuk po zhvillohet ndonjë operacion humanitar që mund të quhet i tillë.
Griffith tha se intensiteti i sulmeve ushtarake izraelite në jug është disa herë më i shpeshtë sesa ai në veri, çka do të thotë se atje nuk ka asnjë vend të sigurt ku mund të punojnë agjencitë e ndihmave. Sipas tij, e vetmja zgjidhje është që luftimet të ndalojnë.
OKB ndërkohë ka bërë të ditur se 1.87 milionë persona, ose më shumë se 80 përqind e popullsisë së enklavës, janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë dy muajve të fundit. Disa familje janë zhvendosur shumë herë dhe po jetojnë në tenda dhe në godina të mbipopulluara.
Gjatë një vizite në Moskë, presidenti i Iranit Ebrahim Raisi pretendoi se kombet perëndimore po mbështesnin genocidin në Rripin e Gazës, ndërsa theksoi se bombardimet e Izraelit duhet të ndalnin sa më shpejt të ishte e mundur. Pasi një civil izraelit u vra nga një raketë antitank e lëshuar nga Libanio, Kryeministri i izraelit Benjamin Netanjahu paralajmëroi grupin libanez Hezbollah, i cili mbështet nga Irani, se nëse vijonte sulmet, Izraeli do ta kthente Bejrutin dhe jugun e Libanit si Gaza dhe Khan Junis.
Gazetare Elda Pepa
/ rtsh.al /