E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rritja e pagave në 2022, sipas funksioneve

Rritja e pagave në sektorin publik është bërë tashmë pjesë e projektbuxhetit të ri të qeverisë. Shpenzimet e personelit për vitin 2022, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes. Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë. 
Qeveria ka planifikuar edhe fondet rezervë për vitin 2022. Kështu, sipas të dhënave të detajuara, që i disponon edhe Televizioni Publik, Qeveria ka parashikuar një fond kontigjence për politika pensionesh në vlerën 2,57 miliardë lekë si dhe një fond të veçantë për pagat në vlerën 300 milionë lekë. Ky i fundit i shtohet fondit për rritjen e pagave, të planifikuar në shumën 2,4 miliardë lekë.
Po cili është ndikimi në paga individuale për kategoritë e mësipërme të shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes. Televizioni Shqiptar ka bërë një llogaritje të përafërt për tabelën e pagave në këta sektorë, duke marrë në konsideratë edhe rritjet e bëra në dy vitet e fundit.
Vini re rritjen e pagave në sektorët e sipërshënuar:
Në vitin 2021 paga mesatare bruto e mjekëve u shtua me 22.800 lekë duke arritur në mbi 110 mijë 553 lekë. Kësaj shifre i shtohen edhe 6 për qind apo 6.633 lekë.
Paga për funksionin e laborantes dhe infermierëve në vitin 2021 u shtua në vlerën 14.810 lekë, duke arritur nivelin 51.810 lekë. Ajo do të shtohet në vitin 2020 me  3.108 lekë.
Paga mesatare bruto e infermierëve dhe laborantëve në vitin 2021 ishte 65.700 lekë dhe do të shtohet me 6 për qind apo me rreth 4 mijë lekë.
Në sistemin arsimor do të ketë gjithashtu rritje të pagave. Kështu paga  mesatare bruto e mësuesve të shkollave 9 vjeçare në fund të vitit 2021 ishte 72.100 lekë, ose 6.300 lekë më shumë se një vit më parë, ndërsa në vitin 2022 do të jetë 74 426 lekë.
Paga  mesatare bruto e mësuesve të shkollave të mesme do të jetë jo 75 500 sa është aktualisht, por mbi 80 mijë lekë.
Rritje e dukshme do të të mundësohet edhe në sistemin e mbrotjes dhe atë të policisë së shtetit.
Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë  rreth 537 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 111 miliardë lekë. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2022, shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›