E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rritja e qëndrueshme ekonomike në Evropën Qendrore dhe Juglindore, konferencë ndërkombëtare në Tiranë

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Në kuadër të presidencës shqiptare të dy nismave të rëndësishme ekonomike si Nisma e Evropës Qendrore (CEI) dhe procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nën kryesimin e zëvendësministres Blerta Rama organizoi konferencën ndërkombëtare me temën “Rritja e qëndrueshme ekonomike në Evropën Qendrore dhe Evropën Juglindore dhe në Shqipëri – Diskutimi i strategjive për promovimin e praktikave të qëndrueshme në rrugën drejt integrimit evropian”.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të shteteve të Nismës së Evropës Qendrore, përfaqësues të shteteve pjesë të procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, diplomatë të akredituar në vendin tonë, politikëbërës, biznese, organizata biznesi dhe dhoma të tregtisë.

Temat kryesore të trajtuara patën në fokus vlerësimin e qëllimit afatgjatë të integrimit të BE-së dhe ndërlidhja me instrumentet e Tregut të Përbashkët Rajonal (Common Regional Market) dhe Planit të ri të Rritjes (2024-2027), si dhe diskutimin e strategjive për promovimin e praktikave të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit theksoi angazhimin e saj për të vazhduar dhe thelluar procesin e bashkëpunimit me të gjithë aktorët e përfshirë në Nismën e Europës Qendrore dhe procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një mundësi të madhe për të përshpejtuar proceset e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe për të avancuar integrimin tonë në strukturat evropiane. /j.p/

1 nga 5

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›