E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritja e rasteve me fruth, mjekët apel prindërve: Mos hezitoni të vaksinoni fëmijët

Shumë fëmijë të moshave 1 dhe 5 vjeç, që përfshihen në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë ende nuk e kanë kryer vaksinimin apo rivaksinimin MMR, që i mbron nga sëmundjet e fruthit, rubeolës e shytave.

Arsyet e moskryerjes së kësaj vaksine lidhen me frikën se kjo vaksinë shkakton autizëm, por sipas mjekëve një gjë e tillë nuk është vërtetuar asnjëherë shkencërisht.

Mjeku pediatër, Theodhor Disho i bën thirrje prindërve të ndërgjegjësohen dhe ti çojnë fëmijët në qendrat shëndetësore për të kryer vaksinën sipas kalendarit të vaksinimit.

“Është një problematikë që ne hasemi çdo ditë, sa i përket kalendarit të vaksinimit, sidomos ndaj fruthit. Jo vetëm nënat, por edhe familjarë të tjerë janë të interesuar për bërjen e kësaj vaksine dhe e shohin si shqetësim pasi një numër i madh i fëmijëve nuk e kanë kryer për shkak të idesë se mund të shkaktojë autizëm, pra ndalon zhvillimin psiko-social të tij. Në të vërtetë kjo është në ide  e gabuar. Kërkimet e reja dhe OBSH ka hedhur poshtë këtë ide kështu që nuk është aspak problematike kjo vaksinë. Thirrja ime është që patjetër kjo vaksinë të kryhet pasi epidemitë e fruthit janë të paparashikueshme dhe në momentin që janë prezente, ky virus ka një shpejtësi shumë të madhe të përhapjes dhe pasojat mbi jetën e fëmijës janë shumë të mëdha“, apelon mjeku.

Sipas autoriteteve në rast se fëmijët nuk i kanë të kryera të gjitha vaksinat sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit do të penalizohen duke mos u lejuar të futen në çerdhe, kopsht apo shkollë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›