Rritja e temperaturave, raporti: Akullnajat e Himalajeve mund të humbasin deri në 80% të vëllimit deri në vitin 2100

Akullnajat e Himalajeve mund të humbasin deri në 80% të akullit të tyre deri në vitin 2100 me rritjen e temperaturave, paralajmëron raport i ri.
Majat më të larta në botë rrezikojnë të humbasin deri në 80% të vëllimit të tyre deri në fund të shekullit me pasoja të thella për miliona njerëz paralajmëruan shkencëtarët ndërkombëtarë në Nepal në një raport të ri, sipas CNN.
Raporti, i publikuar të martën nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD), shqyrtoi ndikimin e ndryshimeve klimatike në një zonë që shtrihet 1.6 milionë milje katrorë (4.1 milionë kilometra katrorë) nga Afganistani në perëndim deri në Myanmar në lindje.
Raporti zbuloi se akullnajat në rajonin e maleve Hindu Kush dhe Himalaja u shkrinë 65% më shpejt në vitet 2010 krahasuar me dekadën e mëparshme, gjë që sugjeron se temperaturat më të larta tashmë kanë një ndikim.
Akulli dhe bora në rajon ushqejnë 12 lumenj që sigurojnë ujë të ëmbël për dy miliardë njerëz në 16 vende, duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Pakistanin.
Me një ngrohje midis 1.5 dhe 2 gradë Celsius, rajoni malor më i lartë në botë do të humbasë 30% deri në 50% të vëllimit të tij deri në vitin 2100, thuhet në raportin e fundit.
Nëse bota kalon 3 gradë Celsius të ngrohjes, akullnajat në Nepal dhe Butan në Himalajet lindore janë në rrezik të humbasin 75% të akullit të tyre, dhe vetëm një shkallë më shumë, kjo shkon deri në 80%, sipas raportit.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike temperatura mesatare vjetore globale afër sipërfaqes për çdo vit midis 2023 dhe 2027 parashikohet të jetë midis 1.1 gradë Celsius dhe 1.8 gradë Celsius më e lartë se mesatarja e viteve 1850-1900.
Shkencëtarët e konsiderojnë ngrohjen 1.5 gradë si një pikë kyçe, përtej së cilës shanset e përmbytjeve ekstreme, thatësirës, zjarreve dhe mungesës së ushqimit mund të rriten në mënyrë dramatike.
/rtsh.al/