Rritja e turizmit, Ndreu: 400 apartamente u blenë nga të huajt në një vit e gjysmë

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha sot se është rritur interesi i të huajve për të investuar në banesa në Lezhë.
Sipas Ndreut, në një periudhë prej një viti e gjysmë, në Lezhë janë shitur 1200 apartamente tek shtetas me pasaportë joshqiptare, nga të cilat 400 janë blerë nga të huaj dhe 800 nga shqiptarë të Kosovës.
I shoqëruar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë një inspektimi për vlerësimin e masave të marra nga bashkia e Lezhës për sezonin turistik në Shëngjin, Ndreu theksoi se bashkia e Lezhës vazhdon të regjistrojë një rritje të numrit të turistëve.
“Janë marrë të gjitha masat. Janë vendosur hartat e zonave turistike përgjatë të gjithë Bulevardit, në Anglisht dhe Shqip. Është hapur edhe zyra e ‘Infopoint-it’. Kemi plazhin publik të ndarë nga ai privat dhe ndarja është e qartë”, tha Ndreu.
“Në disa vende kemi biseduar me bizneset private për çështjen e vrojtuesve të plazhit. Në zonat ku nuk ka biznese të afërta, bashkia merr përsipër këtë detyrë. Pastërtia vijon të jetë prioritet”, shtoi Ndreu.
Më tej, teksa ministrja Kumbaro theksoi se numri i turistëve është rritur me 40%, Ndreu shtoi se interesimi për Shëngjinin dhe Lezhën, është shoqëruar dhe me një trend rritës të të huajve që kanë investuar në banesa në Lezhë.
“Vetëm për një vit e gjysmë, janë shitur 400 apartamente tek të huajt dhe 800 tek shqiptarët e Kosovës. Kjo është statistikë nga zyrat e noterisë. Kanë blerë apartamente shtetas polakë, gjermanë, italianë, francezë, anglezë, izraelitë, nga e gjithë bota”, tha Ndreu.
/a.f/r.e/