“Rritja ekonomike e Shqipërisë, 3.5%”, FMN: “Paqja fiskale” rrezikon të minojë progresin, emigrimi sfidë për vendin

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin për Shqipërinë, vlerëson se vendi po përjeton një nga rritjet ekonomike më të forta në Europë ndikuar kryesisht nga zhvillimi i turizmit gjatë tre viteve të fundit. FMN parashikon që viti 2025 të mbyllet me një rritje prej 3.5%, ndërsa viti 2026 pritet të shënojë një nivel akoma më të lartë.
“Pas një mesatareje prej 4.3 përqind në periudhën pas pandemisë, PBB-ja reale parashikohet të rritet me 3.5 përqind në vitin 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat, dhe 3.6 përqind në vitin 2026, duke reflektuar një përshpejtim modest të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të zonës së euros. Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria gjithashtu duken të kufizuara deri më tani. Pavarësisht njëfarë moderimi, turizmi vazhdon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik”, evidenton FMN.
Për sa i përket paketës së re fiskale, që do të fillojë të aplikohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm, FMN mban një qëndrim kritik.
“Marrëveshja e ‘Paqes Fiskale’, e cila ofron anulimin e borxhit dhe rivlerësimin preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe pajtueshmërinë tatimore”, thotë FMN, duke theksuar kritikat e saj të bërë edhe në nëntor.
Në raport, një fokus i veçantë i është dhënë shkallës së lartë të emigracionit, e cila ka rritur moshën mesatare të popullsisë në Shqipëri dhe konsiderohet ndër sfidat më të mëdha të vendit. FMN rekomandon që Shqipëria të investojë në politika më përfaqësuese për të rinjtë, për t’i mbajtur ata në vend.